Vllaznia sot mund të kishte 10 tituj kam pionë në palmaresin e saj si klub, por gjithnjë nëse do të njihej edhe trofeu i kampionatit të vitit 1940.

Për herë të fundit zyrtarisht klubi shkodran ka kërkuar në Asamblenë e FSHF-së të vitit 2013, që t’i njihet ai kampionat, por kjo gjë u refuzua bashkë me propozimin e Tiranës për titujt e viteve 1939 dhe 1941. Por çfarë do të bëjë klubi i Vllaznisë tani që kjo çështje u rikthye në skenë pas 10 vitesh.

Dje “Panorama Sport” kontaktoi me presidentin e klubit shkodran, Alban Xhaferi, i cili shkurtimisht sqaroi se Vllaznia është e gatshme të bashkëpunojë me grupin nismëtar. “Patjetër, jemi gati për të mbështetur këtë iniciativë. Na intereson, sepse në fund të fundit bëhet fjalë për një titull kampion. Kaq mund të them për momentin”, deklaroi presidenti i kuqebluve.

Por cili është plani që kanë gazetarët Fatmir Mneri dhe Ylli Aga, të cilët janë iniciatorët, të mbështetur edhe nga ish-prokurori Shkëlqim Hajdari. Fillimisht do t’i drejtohen gjykatës administrative për t’i hapur rrugë një procesi që mund të bindte edhe asamblenë e futbollit që t’i njohë titujt e luftës, paçka se 10 vite më parë i ka refuzuar.