Në qytetin që vazhdon të jetë i ngjy rosur ende blu dhe zi, mjafton të ngresh kokën për të kuptuar se çfarë uragani ka kaluar. Flamuj që valëviten nga era, banderola të ngjitura nëpër mure, banera sa pallatet. Edhe tabelat elektronike në Milano tregojnë se yjet e Interit tani janë dy. Ai oqean pasioni, që përveçse mbushi zemrën e kampionëve të rinj të Italisë, mbi të gjitha bën të lumtur drejtuesit dhe pasurojnë llogarinë e klubit.
Ylli i dytë në fakt projekton një dritë jeshile mbi klubin. Mbi Interin do të vërshojnë milionat, disa të prekshme dhe të tjera thjesht numra që gjithsesi kënaqin. Historia ka treguar se skuadra që fiton kampionatin rrit gjithmonë vlerën e futbollistëve në treg.
Të gjithë nga pak, por ata që kanë qenë liderët e formacionit që udhëhoqën Interin drejt suksesit sigurisht që tani vlejnë më shumë. Këtu flasim për Lautaron, Turamin, Barelën, Çalhanoglunë dhe Bastonin. Nga ekspertët e merkatos, 5 futbollistët e mësipërm tani vlejnë 150 milionë euro më shumë, krahasuar me shtatorin.
MARKETINGU- Por të ardhura priten edhe nga marketingu dhe sponsorët e Interit. Me në krye Alesandro Antonelon, grupi ekonomist i Interit shpreson që me këtë titull të fituar do të rikuperojnë edhe milionat që nuk i morën dot në vitin 2021 për shkak të krizës së shkaktuar prej COVID-it. Priten mbi 16 milionë euro nga premiot e sponsorëve.
Shpërthimi i universit interist ka ardhur edhe nga “Media House” që ka pompuar frikshëm rrjetet sociale, pa harruar aktivitetet festive të Suningut në Kinë. Mund të shohësh përtej Milanos që shumë njerëz janë dashuruar me ngjyrat zikaltër. Në një kohë të largët do të korren fryte të tjera të suksesit aktual.
Fanella që do të dalë në shitje me dy yje për shembull apo të tjerat festive që do të bëhen vetëm për Milanon do të pasurojnë Interin. Shifra që pritet nga marketingu varion në 50 milionë euro. Nëse i shtojmë edhe afro 24 milionë euro që do të japë Liga e Serisë A dhe 10 UEFA për titullin kampion, shifra do të shkojë afro 100 milionë euro.
FUTBOLLISTËT- Përtej marketingut dhe milionave që priten, e rëndësishme është rritja që ka pësuar skuadra nga futbollistët. Bepe Marota me njerëzit e tij të besuar e ka pasuruar Interin me lëvizjet e bëra. Puna në fushën e lojës nga Inzagi ka bërë që Turam, i ardhur me vlerën 0 euro dhe që kushtonte 30 milionë në atë kohë, tani kushton 85 milionë euro.
Binjaku i francezit është Lautaro Martinez, i cili vlen 120 milionë euro. Interi nuk do të ulej fare në tavolinë me asnjë skuadër nën këtë shifër. Edhe Çalhanoglu e ka rritur ndjeshëm vlerën e tij në treg. Në fillimin e sezonit ishte 30, ndërsa tani të paktën 50 milionë.
.
Dy futbollistët italianë Barela e Bastoni gjithashtu kanë arritur vlerat mbi 85 dhe 70 milionë euro (+15 i pari dhe +20 i dyti). Tani Interi nuk do të ndalet. Sheh përtej numrit 20. Bepe Marota tha se duhet patjetër titulli i 21.