Barazimi i fundit në kampionat ndaj Kukësit la një shije disi të hidhur te Vllaznia, duke parë mënyrën se si erdhën në këtë ndeshje, pikërisht pas një fitoreje të bukur ndaj Erzenit. Ky barazim dhe fitorja e Tiranës ndaj Egnatias ditën e djeshme, mesa duket do të bëjë që përfundimisht ekipi i Sedloskit të pretendojë vetëm Europën.
Në rast të marrjes së një trepikëshi ditën e djeshme, shkodranët të paktën moralisht edhe pas humbjes së Partizanit, do të pretendonin pse jo për të kapur kreun e renditjes që mbahet nga Tirana.
Megjithatë, kuqeblutë nuk ia arritën dot dhe prandaj mund të thuhet se barazimi ndaj Kukësit ndau një herë e mirë “shapin nga sheqeri” për objektivat e Vllaznisë, të cilët tashmë mendojnë vetëm për Europën.
Në shtatë javët e mbetura, skuadra e Vllaznisë është në luftë edhe me historinë e dy viteve të fundit që nga marrja e presidencës nga Alban Xhaferi. Kështu mund të thuhet, sepse asnjëherë në këto dy vite të fundit kjo skuadër nuk e ka diskutuar Europën, të paktën në synimet e shpallura që nga fillimi i sezonit.
Megjithatë, duket se gjithë ajo ndeshje pozitive e skuadrës ndaj Erzenit u zhbë në sfidën e fundit, me barazimin ndaj Kukësit në “Kukës Arena”.
Nëse kjo situatë nuk merr zgjidhje dhe nuk vjen kthesa, duke nisur nga ndeshja e rradhës në Shkodër ndaj Tiranës, gjithçka sa vjen edhe bëhet më e vështirë për ekipin, në një kohë kur kanë nevojë më shumë se kurrë për pikët që vlejnë Europën.
Maringlen ZHIVANI