Trajneri i kombëtares U21, Alban Bushi, ka bërë një tjetër ndryshim në radhët e ekipit që drejton pasi ka afruar në grumbullim mesfushorin 21-vjeçar Leandro Frroku. Ky i fundit, pjesë e kësaj përfaqësueseje që nga viti 2022, ishte lënë fillimisht jashtë nga trajneri.
Por duke marrë shkas nga ndryshimet e shumta në ekip në këto ditë për shkak dëmtimesh apo kalimesh te ekipi A, Bushi ka vendosur që të ftojë edhe mesfushorin e cili ka luajtur si zëvendësues në ndeshjet e muajit mars të këtij viti ndaj Finlandës dhe Zvicrës.
Futbollisti me origjine nga Puka- Frroku është pjesë e ekipit B të Panathinaikosit, pasi është formuar në akademinë e klubit të njohur grek.
Përfaqësuesja Shpresa luan të martën ndeshjen ndaj Armenisë, e cila është e fundit në eliminatoret e Europianit të kësaj grupmoshe, ku si zakonisht, kuqezinjtë nuk arritën të kualifikoheshin për në turin tjetër.