Vllaznia e futbollit të femrave ka arritur një tjetër fitore në kampionat, duke mundur pasditen e së shtunës me rezultatin e thellë 7-0 ekipin e Dajtit.

Në ndeshjen e luajtur në Kamëz, ekipi shkodran nuk e ka patur aspak të vështirë për të fituar. Ka spikatur sërish sulmuesja Megi Doçi e cila ka shënuar 5 gola edhe në këtë 90 minutësh.

Ndërkohë dy golat e tjerë të këtij takimi janë shënuar në minutat e fundit të takimit dhe kanë patur për autore futbollistet Luçie Gjini e Esmeralda Franja. Me këtë fitore Vllaznia është ngjitur në kuotën e 51 pikëve dhe është sërish e shkëputur gjashtë pikë nga Kinostudio e vendit të dytë.

Kanë mbetur edhe pesë javë deri në fund të kampionatit dhe titulli kampion duket thjesht një formalitet për t’u kryer për këtë ekip, titull ky që do të jetë i gjashti rradhazi për të.
© shkodrasport.com