Tjetër fitore për Vllazninë e femrave dhe tjetër “rekord” për sulmuesen e saj Megi Doçi. Ekipi kuqeblu ka fituar sot me rezultatin 9-0 dhe të nëntë golat e kësaj ndeshje i ka shënuar lojtarja e saj më e mirë.
Ka ndodhur kështu në ndeshjen e luajtur mesditën e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe përballë Vllaznisë ka qenë Pogradeci.
Kuptohet që diferencat në fushën e lojës kanë qenë të mëdha dhe kampionet në fuqi të vendit nuk e kanë patur aspak të vështirë të fitojnë ndaj këtij kundërshtari.
Pesë prej golave Doçi i ka shënuar në pjesën e parë dhe atyre u ka shtuar edhe katër të tjerë në pjesëbn e dytë duke kompletuar kësisoj këtë fitore të thellë.
Vllaznia në këtë mënyrë pas javës së 16-të të kampionatit vazhdon të udhëheqë me meritë renditjen duke është sërish 6 pikë larg ndjekëseve të saj më të afërta.
Ndërkohë Megi Doçi me golat e shënuar sot është ngjitur në kuotën e 64 golave në këtë kampionat dhe kryeson edhe ajo me meritë renditjen e golashënueseve më të mira.
© shkodrasport.com