Vllaznia në volejboll për femra duket se e ka marrë shumë seriozisht sezonin e ri. Ndryshimet në pankinë, shoqëruar me ardhjen e të mirënjohurës Nora Deda në krye të saj, po pasohen edhe me përforcime cilësore lojtaresh
Ashtu siç kemi bërë të ditur pasditen e sotme, drejtuesit kanë rikthyer pas tre vitesh në skuadër liberon Xhesika Kaçi e cila ka qenë pjesë e Barleti Vollej.
Por nga ana tjetër Vllaznia ka bërë edhe një tjetër përforcim të rëndësishëm. Gazeta “Shkodra Sport” mëson se me skuadrën ditët e fundit është bashkuar edhe volejbollistja Stela Agolli. Ajo është 25 vjeçe dhe luan në pozicionin e shuteres.
Agolli e ka nisur karrierën tek Barleti Volley ku ka luajtur për 4 sezone, më pas kaloi tek Skënderbeu, skuadër me të cilën u shpall kampion në sezonin 2021-2022. Ndërkohë në sezonin e kaluar, ka qenë pjesë e ekipit të Tiranës.
Tashmë vjen në Shkodër për t’iu bashkuar vajzave të tjera të ekipit të Vllaznisë dhe për të kontribuar që të gjitha sëbashku të arrijnë objektivat që drejtuesit do të shpallin.
Natyrisht që ambicjet e presidentit Zekja nuk do të ndalen këtu dhe me shumë mundësi që në vazhdim të kemi edhe surpriza të tjera në merkato. Vllaznia e sezonit të ri pritet ta thotë ndryshe fjalën e saj.
Gjergj KOLA