Vllaznia do të rikthehet në fushën e lojës që ditën e mërkurë në përballjen e Kupës kundër Flamurtarit. Kuqeblutë do të përpiqen që të përmbysin rezultatin përballë vlonjatëve, që fituan takimin e parë në shifrat 2-1.
Dhe pavarësisht se vlonjatët janë një kategori më poshtë, janë një ekip me cilësi dhe që kanë treguar se mund të sjellin edhe ndonjë surprizë jo të këndshme për kuqeblutë.
Si të mos mjaftonin lojërat me oshilacione dhe humbja e fundit me Partizanin, ajo që u vu re dje në stërvitjen për takimin me kuqezinjtë ishte shtimi në radhën e të munguarve për këtë ndeshje.
Kështu e sigurt duket që Hakaj dhe Latifi nuk do të jenë në fushë. Madje për mbrojtësin e majtë në dyshim është edhe ndeshja e fundjavës kundër Laçit.
E ndërsa Latifi nuk ka një datë të saktë për rikthimin, boshnjaku Heriç duket se mund të kenë një shpresë për aktivizim, por stafi kërkon të mos i rrezikojë dy mesfushorët.
Edhe një tjetër mungesë po kaq e rëndësishme për takimin me Flamurtarin, por për më tepër edhe për takimin me Laçin do të jetë ajo e mesfushorit kuksian të Vllaznisë, Fjoard Jonuzi.
Nga sa mësohet ai ka pësuar një tërheqje rrëzë kofshës gjë që mund ta mbajë atë larg ekipit edhe për takimin me Laçin. Mesa duket problemet për teknikun Josa sa vijnë e shtohen nga java në javë e nga takimi në takim.
Por vetë Josa duket se asnjëherë nuk ka kërkuar të dorëzohet pavarësisht mungesave që sa vijnë e shtohen. Mesa duket tani tekniku Josa do të vlerësojë drejt edhe përballjen me vlonjatët, që në dukje ishin një kundërshtarë i lehtë.