Pas suksesit të djeshëm të Xhevahir Sukajt që ka shënuar gol dhe më pas ka ngritur trofeun e Kupës së Iranit, një tjetër sulmues shkodran ka shënuar sot. Bëhet fjalë për Hamdi Salihin. Ai ka kontribuar në fitoren e skuadrës së tij Jiangsu Sainty në ndeshjen që ajo ka zhvilluar me Guangzhou që mbante vendin e parë në renditje dhe që në tetë javë kampionat nuk kishte njohur humbje. Humbja e parë kësisoj i ka ardhur nga Jiangsu dhe rol të rëndësishëm për arritjen e saj ka dhënë edhe Salihi. Ai ka shënuar golin e parë të ndeshjes që në minutën e 11-të të saj.


Pjesa e parë është mbyllur me këtë rezultat. Në të dytën është shënuar edhe një gol tjetër nga Eleislon në minutën e 75-të dhe në shifrat 2-0 është mbyllur krejt ndeshja. Me fitoren e sotme, Jiangsu është ngjitur në kuotën e 8 pikëve duke përmirësuar disi renditjen dhe nisjen jo të mirë që i ka bërë kampionatit. Megjithatë Salihi po e bën siç duhet punën e tij. Ai ka shënuar bashkë me golin e sotëm tre të tillë duke qenë shënuesi më i mirë i skuadrës. Sulmuesi i kombëtares shqiptare në këtë mënyrë vazhdon të jetë i suksesshëm kudo që shkon duke qenë i lindur për të shënuar dhe këtë po e bën në mënyrën e duhur edhe në Kinën e largët.
www.shkodrasport.com