Një tjetër largim vjen nga skuadra e Tiranës. Kristal Abazaj nuk do të jetë më lojtar i bardhebluve, ndonëse mungon ende zyrtarizimi.

27-vjeçarit i përfundon kontrata me kryeqytetasit në fund të qershorit, por palët nuk do të vazhdojnë më bashkëpunimin mes tyre, duke ndarë rrugët kështu pas përfundimit të sezonit.

Ish-lojtari i Kukësit largohet nga Tirana pas dy sezonesh, teksa karriera e tij me shumë gjasa do të vazhdojë jashtë Shqipërie. Elbasanasi ka qenë një lojtar kyç në formacionin e kryeqytetasve, ku në këtë sezon ia ka dalë të luajë në 45 ndeshje mes Kupës, kampionatit dhe Conference League.

Ka arritur të shënojë 11 gola në kampionat dhe ka dhënë edhe 4 asiste. Interesimet për Abazajn nuk mungojnë, por destinacioni i tij i radhës pritet të jetë larg Superiores. Mbetet të presim në ditët në vazhdim për të mësuar se ku do ta shikojmë 27-vjeçarin në sezonin e ri./newsport/