Sikur të mos mjaftonin mungesat e Krymit, Jonuzit dhe Da Silvës, tek Vllaznia në pragndeshjen me Kastriotin është konfirmuar edhe një mungesë tjetër. Bëhet fjalë për atë të mbrojtësit Eni Imami.
Ky i fundit në stërvitjen e djeshme ka nxjerrë disa shqetësime dhe si rrjedhojë i është drejtuar menjëherë stafit mjekësor duke kërkuar të nisë menjëherë terapinë me shpresën për t’u rikuperuar dhe për të qenë në fushë ndaj krutanëve.
Imami ka qenë në stërvitje sot me ekipin, megjithatë stafi teknik duket se ka vendosur që të mos rrezikojë me të dhe do ta lërë në stol. Në vend të tij do të luajë Dajan Shehi dhe jo më kot ai është përzgjedhur nga stafi për të qenë para gazetarëve në konferencën e shtypit.
Pavarësisht këtij fakti, trajneri Brdariç për asnjë moment nuk e ka shqetësimin e mungesave por u ka dhënë besim lojtarëve të tjerë dhe kështu ka bërë edhe këtë herë. Me to, ai do të kërkojë suksesin edhe nesër ndaj Kastriotit.
“Ne nuk jemi ankuar kurrë për atë pjesë. Nuk jemi shqetësuar kurrë për atë pjesë që nga momenti kur kam ardhur unë këtu dhe keshtu do te vazhdojme te punojme sepse une kam besim tek te gjithe lojtaret”- ka thene Brdaric./SHKODRA-SPORT.COM/