Një fond ndërkombëtar investimesh me interesa në të gjithë botën është shprehur i gatshëm të hyjë në ankand për të blerë ekipin e mirënjohur të futbollit “Vllaznia” e Shkodrës.

“Vllaznia” është ekipi i futbollit më i vjetër në vend që daton në fillimet e këtij sporti kaq popullor në mbarë botën. “Vllaznia” është njëri prej ekipeve më të njohura dhe më me histori në lëminë e dëshiruar të këtij sporti kaq të ndjekur në vend që për hirë të së vërtetës po kalon sot ditët më të këqija të tij.

Siç raporton “pamfleti.com”, Fondi ndërkombëtar i investimeve do të jetë i gatshëm të bëjë publike ofertat e tij vetëm në momentet kur të bëhen transparente kushte e ankandit të ekipit të njohur shqiptar.

Për këtë është vënë në dijeni edhe Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, zonja Voltana Ademi.Burime të “Pamfleti.com” bëjnë me dije se Fondi qarkullon një pasuri monetare prej 6 miliardë USD.

Fondi rezervon të drejtën e shfaqjes(bërjes publike) të të dhënave për sa kohë procedura e ankandit nuk është hapur ende. E gjitha kjo se Fondi ka edhe interesa të tjera financiare në Republikën e Shqipërisë.

Fondi posedon banka, kompani ajrore, investime në naftë, energji të rinovueshme etj.

Tek “Vllaznia” po troket një erë e re, ku investitorë ndërkombëtarë janë të gatshëm të investojnë dhe të ripërtërijnë vlerat e mrekullueshme të futbollit shqiptar. Nevojitet vetëm përkushtim dhe transparencë nga organet e vendim marrjes së ekipit.