Ekipi i Vllaznisë në not vazhdon të shkëlqejë në kampionatin e tij dhe po përfaqësohet denjësisht në garat kombëtare. Edhe pse akoma nuk është bërë e mundur që për sportin e notit në Shkodër, të krijohen kushtet e duhura për stërvitjen, ky ekip vazhdon të punojë me përkushtim maksimal, falë edhe trajnerit të tij Kolë Shiroka.

Rezultatet pozitive nuk kanë munguar dhe të tilla ishin edhe në garat e fundit, të zhvilluara këtë fundjavë në pishinat e një prej resorteve të Tiranës.

Në këtë aktivitet, një ndër ekipet pjesëmarrëse ishte edhe Vllaznia, që përfaqësohej me disa sportistë siç janë: Uerda Jahaj, Viki Tafrruku, Elia Lika, Andia Pemaj, Drini Ujkashi, Besion Pemaj, Mark Tarri, Ersi Shimaj, Marin Pjetri dhe Skerdi Kroni.

Kështu, ekipi i Vllaznisë, në përbërje të të cilit bëjnë pjesë disa elementë të moshës së re, arriti të fitonte vendin e dytë si ekipi më i mirë për femra. Uerda Jahaj shkëlqeu me performancën e saj, duke arritur të fitojë vendin e parë dhe të dytë në disa gara. Poashtu, Viki Tafrruku, vetëm 11-vjeç, arriti të mposhte kundërshtarët e saj, duke u shpallur sportistja e tretë më e mirë.

Edhe sportistja Elia Lika zhvilloi një përfaqësim dinjitoz, duke arritur vendin e dytë dhe vendin e tretë në garat e ndryshme. Ndërkohë, edhe kapiteni i ekipit Drini Ujkashi fitoi vendin e dytë për të rinj.

Kështu, me pak fjalë, ekipi i Vllaznisë në not ka shkëlqyer në këto gara, duke arritur trofe si individë dhe si ekip, teksa në këtë aktivitet padyshim që spikatën Uerda Jahaj dhe Viki Tafrruku.
Maringlen ZHIVANI