Nga Endri ÇINARI
Dëmtimet duket se janë një problem tek Vllaznia edhe në vitin 2025. Shkodranët që vuajtën shumë në pjesën e parë të sezonit me mbi 11 futbollistë të dëmtuar, po vuajnë edhe në fillimin e këtij viti. Kjo pasi në ndeshjen e fundit të zhvilluar në kupë kundër Besës, ku kuqeblutë triumfuan me rezultatin 1-0 pas 30 minutave të shtesë, nga fusha doli i dëmtuar Klinti Qato.
Mesfushori që u paraqit si titullar në ndeshjen ndaj kavajase, u detyrua të dilte nga fusha në minutën e 35-të. Duke i lënë vendin e tij Deliut, i cili e niste ndeshjen nga stoli. Kjo pasi futbollisti nga Kuçova ndjeu dhembje në pjesën e pasme të kofshës, duke e pasur të pamundur për të vijuar takimin.
E me patjetër për të mos rrezikuar më shumë gjendjen e tij, stafi vendosi të nxirrte nga fusha 27-vjeçarin. Nga sa mëson gazeta, dëmtimi është i ripërsëritur për ish-futbollistin e Laçit. I cili pati një ndalesë edhe në fundin e vitit 2024 për një problem të njëjtë fizik. E ndërsa sot priten edhe ekzaminime më të detajuara për Qaton nga ana e mjekëve të Vllaznisë.
Kjo për të kontrolluar në detaje gjendjen e shtatshkurtërit. Qato u afrua në merkaton e verës së shkuar në rradhët e Vllaznisë. Ku fitoi menjëherë një vend në formacion, duke spikatur me grintën dhe karakterin e tij luftarak. Me kuqeblutë po ashtu ai ka gjetur edhe një herë rrjetën këtë sezon, në fitoren 3-1 të Vllaznisë kundër Egnatias në fazën e parë./www.shkodrasport.com/