Futbolli italian duket se e ka të vështirë që t’u shmanget trukimeve në ndeshjet e kampionateve atje. Një tjetër skandal ka shpërthyer në Itali sa u përket trukimeve të ndeshjeve, pasi është zbuluar një rrjet që manipulonte sfidat, duke u bazuar mbi ngjarje gjatë ndeshjeve e jo në rezultatet përfundimtare të tyre, siç ndodh rëndom.

Policia e Katanias ka arrestuar tre persona nën akuzën e mashtrimit sportiv, me një prej tyre që është futbollist, pasi është zbuluar se në bashkëpunim ndikonin në aktivitete gjatë ndeshjeve të Lega Pro. Pronari I një qendre bastesh në Katania kishte denoncuar në polici se i kishin vjedhur dhjetëra mijëra euro në llogari disa persona të paidentifikuar duke i hakuar adresën e e-mailit.

Por hetimet për këtë rast, kanë çuar në zbulimin e një krimi tjetër, pasi të dhënat dhe bisedat telefonike treguan se disa persona nën monitorim ishin të përfshirë në trukimin e ndeshjeve. Futbollisti, në periudhën kur luante për skuadrën e Bishelje, kishte ndikuar direkt për të bërë të mundur suksesin e basteve si goditjet nga këndi apo edhe kartonët e kuq në ndeshje.

Për të shmangur kontrollet, bastet ishin vënë në agjensi të ndryshme të huaja dhe nuk rezultonin në sistemet e kompanive që monitoronin kampionatin italian për parregullsi në flukset e basteve. Janë të paktën tre ndeshje të cilat dyshohen si të manipuluara në këtë aspekt nga kampionati i kaluar, ndërsa po hetohet edhe përfshirja e futbollsitëve të tjerë. /vipsport/