Federata Shqiptare e Notit ka organizuar këtë fundjavë Kupën “Klavio Meça”, në nderim dhe kujtim të ish-notarit të njohur. Pjesë e këtij aktiviteti të fundit për vitin 2022, që u zhvillua në Tiranë, ishte edhe Shoqata “Shkodra Not” me ekipin e Vllaznisë, i cili nën drejtimin e trajnerit Kolë Shiroka, vijon të rregjistrojë rezultate pozitive.

Në këtë aktivitet kombëtar, Vllaznia u përfaqësua nga disa notarë shkodranë, të cilët ishin: Uerda Jahaj, Viki Tafrruku, Michelle Bushati, Andia Pemaj, Eranda Lika, Alkeo Isufi, Matia Jubani, Klevis Gushta, Skerdi Kroni dhe Adriel Marku.

Rezultatin më të mirë për ekipin e Vllaznisë e rregjistroi notarja e talentuar Uerda Jahaj, e cila arriti të shpallej kampione në garën e saj, 50-metër stil shpinë. Ndërkohë, në tre gara të tjerë, 100-metër mix, 100-metër stil delfin dhe 50-metër delfin, u rendit në vendin e dytë.

Ndërkohë, përveç Uerda Jahajt, një paraqitje mjaft të mirë ka bërë edhe notarja tjetër e Vllaznisë, Viki Tafrruku, e cila në këtë aktivitet u rendit në dy venda të treta, përkatësisht në 100-metër stil i lirë dhe 50-metër stil shpinë.

Ekipi i Vllaznisë ishte i suksesshëm edhe në garën e stafetës, me notaret Viki Tafrruku, Andia Pemaj, Uerda Jahaj, Michelle Bushati, që morën dy vende të dyta.

Ndërkohë, në klasifikimin ekipor, Vllaznia për femra, që u përfaqësua me notarë nga mosha 9 deri në 14-vjeç, u rendit në vend të dytë, duke qenë kështu në mes ekipeve më të mira të aktivitetit.
Maringlen ZHIVANI