Edi Reja do ta freskojë grupin kuqezi në mesfushë, por edhe në portë. Debutuesi absolut në listën e Kombëtares shqiptare do të jetë mesfushori qendror, Lindon Selahi. Sipas “RTSH”, 20-vjeçari i Tuentes është ndjekur nga Reja kohët e fundit dhe trajneri 71-vjeçar ka vendosur ta bëjë pjesë të grupit kuqezi, pavarësisht aktivizimit të pakët me uniformën e 21-vjeçarëve.Lindon-Selahi
Lojtari i lindur në Belgjikë ka vendosur ta përfaqësojë vendin e origjinës, duke u shpërblyer me grumbullimin për dy sfidat vendimtare në Stamboll dhe Kishinjev. Selahi e ka nisur karrierën në radhët e Standard Liezhit, por këtë verë u transferua në Holandë te Tuente, ku trajneri Gonzalo Garsia i ka dhënë hapësira të mëdha, duke e aktivizuar titullar në të 8 ndeshjet e zhvilluara në Eredivisie.
Mesfushori numëron plot 583 minuta gjatë këtij sezoni dhe do të jetë një nga lojtarët më të aktivizuar të listës kuqezi. Një tjetër risi, edhe pse nuk është hera e parë që thirret në Kombëtare, është edhe portieri Gentian Selmani.
I transferuar këtë verë nga Laçi te Menemenspori, gardiani kurbinas duket se ka tërhequr vëmendjen e Edi Rejës që po përgatit një rrotacion të butë dhe pa shumë zhurmë për Etrit Berishën, i cili nuk ishte pjesë e Kombëtares shqiptare për sfidat me Francën dhe Islandën.gentian selmani
Zyrtarisht, largimi i tij nga grumbullimi u justifikua me një dëmtim, por shkaqet mund të jenë të tjera dhe të lidhura ngushtë me rikthimin e Strakoshës zgjedhje e parë në hierarkinë e ngritur nga Reja. Lista e plotë e të besuarve të Rejës pritet të publikohet gjatë orëve në vazhdim, ndërsa të dielën trajneri i Kombëtares do të dalë në një konferencë për shtyp.