Sulmuesi i Bordeaux, Alberth Elis, raportohet se u vendos në koma të induktuar nga mjekët, pasi pësoi një dëmtim të rëndë në kokë në ndeshjen e së shtunës në Ligue 2 kundër Guingamp. Brenda minutës së parë të lojës, lojtari i kombëtares së Hondurasit u përplas në ajër me mbrojtësin e Guingamp, Donatien Gomis.
Elis mori tetë minuta trajtim në fushë, përpara se të nxirrej me barelë dhe dërgohej në spital. Sipas raporteve nga “L’Equipe”, 28-vjeçari ishte i vetëdijshëm në fushë, por u vendos në koma artificiale përpara se të transportohej në Spitalin Universitar Pellegrin.
Pas ndeshjes, të cilën skuadra e tij e fitoi 1-0, trajneri i Bordeaux, Albert Riera tha se nuk ishte në gjendje të jepte asnjë informacion për gjendjen e Elis: “Fjalët e mia të para janë për Alberth. Ne folëm me mjekun dhe nuk mund të themi asgjë. Ai është në spital dhe nuk mund të themi asgjë. Fitorja është për të”.
“L’Equipe” shkruan se portieri Karl-Johan Johnsson ishte i vetmi lojtar i Bordeaux që foli me shtypin pas ndeshjes: “Kjo është hera e parë në karrierën time që e kam përjetuar këtë. Është vërtet e vështirë, më erdhi të qaja. Në pjesën e parë na thanë se ishte zgjuar, por për momentin, ne nuk dimë asgjë”.
Elis luajti në MLS me Houston Dynamo për gati katër sezone, duke u transferuar te skuadra portugeze Boavista më 2020. Që atëherë ai ka luajtur për Bordeaux në Ligue 1 dhe Ligue 2, sezonin e kaluar ishte pjesë e Ligue 1, në huazim me Brest.
Sulmuesi ka qenë gjithashtu lojtar kyç për kombëtaren e Hondurasit, që nga debutimi i tij në 2014. Elis ka bërë 64 paraqitje për “Catrachos”, duke shënuar 13 gola./telesport/