Vllaznia s’heq dorë nga kërkesat e saj për të gjetur një sulmues cilësor në prag të nisjes së sezonit të ri. Pasi kanë dështuar me kroatin Vidoviç që nuk ka bindur aq sa duhet, drejtuesit kuqeblu do të sjellin në Shkodër një tjetër sulmues nga ky vend. Bëhet fjalë për Tomislav Bushiç. Ai do mbërrijë sot në qytetin verior të Shqipërisë dhe menjëherë do të testohet nga stafi drejtues I Vllaznisë. Vlerat e këtij lojtari që ka luajtur edhe me Hajduk të Splitit njihen por duhet parë vetëm gjendja fizike e tij. Gjasat janë që ky sulmues të vishet kuqeblu për sezonin e ri sepse Vllaznia ka nevojë për një sulmues cilësor.

Karriera e kroatit
I lindur më 2.2.1986, ky futbollist e ka nisur karrierën e tij tek një ekip shumë I njohur, pikërisht Hajduku I Splitit. Me këtë skuadër, ai ka luajtur në sezonet 2006-09. Gjatë kësaj periudhë, Tomislav Bushiç ka zhvilluar edhe një ndeshje me kombëtaren U-21 të Kroacisë. Pas përvojës me Hajdukun, ai ka kërkuar diçka ndryshe dhe për rrjedhojë ka kaluar në kampionatin izraelit me ekipin Makabi Petah. Një vit qëndrimi aty dhe më pas kthimi sërish në Kroaci tek Slaven Belupo ku luan një sezon e gjysëm ndërsa në sezonin e fundit ka luajtur në kampionatin azerbajxhanas me ekipin PFC Simurq. Pas mbarimit të kësaj kontrate, lojtari që ka një gjatësi 1.86 metra, është vënë në kërkim të një skuadre tjetër dhe menaxherë të ndryshëm I kanë sugjeruar Vllazninë. Ai ka qenë dakord me këtë lëvizje megjithatë tashmë duhet parë se çfarë do ngjasë. Bushiç natyrisht që nuk vjen për provë në Shkodër por nga ana tjetër edhe drejtuesit kuqeblu nuk mund të marrin një futbollist pa ditur më parë gjendjen fizike dhe shëndetësore të tij. Për këtë arsye, ndoshta 2-3 ditë stërvitje do të jenë të mjaftueshme për të përcaktuar fatin e këtij sulmuesi.
Merkatoja kuqeblu
Trajneri Canaj e ka ndarë mendjen se ndoshta duhet ta fillojë kampionatin pa patur një sulmues tjetër më cilësor në dispozicion. Megjithatë ai do ta shohë Bushiç. Nëse ka parametrat e duhur fizikë dhe nëse nuk ka pretendime shumë të larta financiare, ky futbollist mund të mbyllë merkaton e Vllaznisë. Pas lënies së lirë të sulmuesit 20 vjeçar Guri, stafi drejtues ka në dispozicion për momentin dy sulmues: Gjinin dhe Dibrën. Përveç tyre është edhe sulmuesi I ardhur nga të rinjtë- Idrizi por ai ka kaluar një dëmtim kohët e fundit dhe ende nuk është gati për të dhënë kontributin e tij. Kësisoj gjërat janë të qarta. Vllaznia ka nevojë medoemos për një sulmues tjetër. Janë ditët e fundit të mbylljes së merkatos dhe tashmë duhen ndarë gjërat. Mbase Tomislav Bushiç mund të jetë blerja e fundit e saj në këtë merkato vere për të kompletuar kështu edhe repartin e sulmit. Duhet thënë se kuqeblutë sivjet janë treguar shumë racional në merkato duke kthyer disa nga shkodranët që kanë luajtur me ekipet e tjera dhe njëkohësisht kanë mbajtur portierin Vujadinoviç, që është një garanci shumë e madhe për të.
Gjergj KOLA