Dy prej mundësve të shquar të historisë së klubit Vllaznisë, pikërisht Tonin Dema dhe Pal Marku, janë nderuar nga Federata Shqiptare e Mundjes. Kjo ka ndodhur gjatë aktivitetit të kampionatit mbarëkombëtar që u zhvillua fundjavën e kaluar në Tiranë. Ndër sportistët e tjerë të dekoruar kanë qenë edhe dy shkodranët e mësipërm që kanë marrë titullin “Nderi i Federatës Shqiptare të Mundjes”.

Sigurisht që ky vlerësim ka ardhur si rrjedhojë e kontributit shumë të madh që këta dy sportistë kanë dhënë prej vitesh për këtë sport. Por nëse Dema ka kohë që është tërhequr disi, ngaqë jeton prej vitesh jashtë vendit, Pal Marku vazhdon të jetë shumë aktiv, tashmë në rolin e gjyqtarit.Në këtë mënyrë, nderime të tilla që bën kjo Federatë janë për t’u veçuar si shumë pozitive sepse në fund të fundit është një shpërblim moral për atë që kanë dhënë për këtë sport. Tonin Dema dhe Pal Marku janë vetëm një pjesë e një numri të madh sportistësh dhe drejtuesish të këtij sporti që e bënë atë me shumë emër por edhe më gjerë.

www.shkodrasport.com