Vetë ai ka qenë ndër mundësit më të njohur të Vllaznisë së viteve ’70-’80. 5 herë kampion i vendit, një nga më të mirët e plejadës së tij, Tonin Dema në prononcimin e tij ekskluziv për gazetën online www.shkodrasport.com, do të fliste me superlativa për ish-trajnerin e tij të mundjes Eljaz Ahmetin, i cili vetëm pak ditë më parë u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia Shkodër. Duke folur për Ahmetin, ish-sportisti i tij do të shprehej: “Profesor Eljazi e ka merituar plotësisht atë titull sepse është trajneri më i mirë në historinë e mundjes shkodrane. Kam patur fatin të jem sportist i tij bashkë me emra të tillë si Rrok Bardeli, Isa Vejuka, Agustin Mhilli, Dedë Bregu, Tasim Rexha, Artur Sukaj, Selaudin Rexha etj. më vjen mirë edhe që ky nderim iu ba sa asht gjallë sepse po kthehet në modë tashmë me i nderu figura të tilla pas vdekjes. Kështu ndodhi me mikun tim të mirë, të madhin Agim Tafili, i cili sa ishte gjallë, nuk ju dha asnjë titull. Nuk duhet të ndodhi ma kështu por njerëzit të shpërblehen për atë që kanë dhanë sa të jenë gjallë se pas vdekjes, nuk vlen shumë”.


Vetë Tonin Dema e ka vuajtur për arsye biografike mosnderimin ashtu siç duhet të karrierës së tij. Mjafton për këtë fakti të kujtojmë se titulli “Mjeshtër i Merituar i Sportit” që ai e ka merituar që në vitin 1985, e ka marrë pas 20 vitesh. Por Tonin Dema, ka kontributin e tij përveç mundjes edhe tek sporti i boksit. Ai është ndër nismëtarët e këtij sporti pas viteve ’90. Nga duart e tij kanë dalë disa nga sportistët më të njohur si Jetmir Kuçi, Gazmend Muja etj, por për arsye emigrimi është detyruar të largohet drejt Italisë. Megjithatë boksin e ndjek sërish, ndonëse edhe djali i tij Viktori e ka lënë tashmë atë sport. Dema vlerëson së tepërmi punën e bërë nga trajneri Zef Gjoni me këtë sport dhe prandaj thotë: “Të jesh 17 vjet kampion i Shqipërisë në 20 kampionate të zhvilluara, kjo tregon se Vllaznia ka ba ligjin në sportin e boksit pas viteve ’90. Meritën më të madhe dhe të padiskutueshme e ka trajneri Zef Gjoni. Ai ka ditur të punojë ashtu siç duhet, ndonëse i përballur me shumë vështirësi dhe gjithnjë ka triumfuar. Kjo është për t’u vlerësuar”. Ish-trajneri i boksit bën një koment edhe për Memorialin e muajit të ardhshëm që do zhvillohet në Shkodër dhe ku do marrin pjesë rreth 20 shtete. Ka dëgjuar se fondet ende nuk janë gjetur dhe prandaj ai i bën një apel Bashkisë dhe gjithë instancave të tjera, t’i gjejnë ato paratë që duhen për këtë aktivitet. “Do jetë në nderin e Shkodrës të zhvillojë një aktivitet të tillë ku do vijnë rreth 20 shtete. Dhe këto shtete nuk vijnë kështu vetëvetiu në Shkodër. Vijnë sepse për të mbërritur deri këtu, Zef Gjoni dhe stafi i tij kanë sakrifikuar shumë, kanë punuar dhe në bazë rezultateve, ka ardhur edhe rritja e nivelit të këtij sporti. Prandaj dhe Bashkia duhet të bëjë çmos për ta mbështetur këtë aktivitet”-ka thënë në fund për gazetën tonë, ish-mundësi dhe ish-trajneri i boksit Tonin Dema.

 

www.shkodrasport.com