Pas ngjarjeve të ndodhura ditën e enjte, rreth 20 minuta pas mbylljes përfundimtare të takimit Vllaznia-Skënderbeu, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë, ku trajnerët e ekipit korçar u goditën me topa bore nga një grup tifozësh, duket se kjo çështje i ka kaluar Komisionit të Disiplinës pranë FSHF-së për shqyrtim. Ka mjaft komente apo opinione të ndryshme në lidhje me këtë çështje, ku thuhet se ndaj Vllaznisë do të ketë ndonjë masë ndëshkimore për këto ngjarje, por ka edhe mendime të kundërta. Pavarsisht se kjo çështje mund të jetë një nga temat e analizës dhe të diskutimit për vendim-marrje në mbledhjen e radhës të Komisionit të Disiplinës, shkodranët duket mëse të qetë në këtë drejtim. Me qetësi absolute, është Administratori i Përgjithshëm i klubit të futbollit “Vllaznia sh.a.”, Kujtim Shaba, që jep versionin e tij, duke dhënë garanci se nuk do të ndodhë asgjë. “Kemi dëgjuar komente dhe opinione të ndryshme gjatë këtyre ditëve për këtë çështje, por ne e kemi parë më të arsyeshme të heshtim dhe të mos u japim shkak të tjerëve për të folur. Edhe mundet që kjo ngjarje, e quajtur e tillë, të kalojë në Komision të Disiplinës, por ne si klub ende nuk kemi asnjë konfirmim apo njoftim zyrtar për këtë gjë. Di të them vetëm kaq se për ata topa bore, që ju thoni, gjithçka ka qenë pasi është mbyllur ndeshja në mënyrë shumë korrekte, kur lojtarët dhe gjyqtarët kanë qenë të futur në dhomat e zhveshjes pa asnjë lloj incidenti dhe kur gjithçka ishte mbyllur në mënyrë të paqshme. Unë nuk dua të merrem me gjëra të tilla, jo me topa bore apo edhe me fenomenin tjetër, ku zëvendës-trajneri i Skënderbeut, ka fyer rëndë tifozët shkodranë, të cilët ndodheshin në shkallët e stadiumin, me gjeste fyese nga më të ndryshmet. Për ne si klub gjithçka ka qenë korrekte, ashtu si dhe për klubin e Skënderbuen, pavarsisht episodit për të cilin bëhet fjalë. Kështu që edhe mes dy klubeve tona gjithçka është korrekte”, ka thënë Shaba, i cili në fund si me humor, por e mbështetur në rregulloren e FSHF-së për garat thotë:”Askund në rregullore nuk e thotë që klubi mund të dënohet nëse tifozët gjuajnë me topa bore. Po, është e vërtetë se klubi do të dënohet nëse hidhen sende të forta në fushë, që janë të dënueshme dhe të rrezikshme për jetën e lojtarëve apo të gjyqtarëve e komisarëve të tjerë në këtë ndeshje. Pra për topa bore nuk e parashikon askund rregullorja dhe mendoj se kjo histori është e mbyllur, pavarsisht se ndonjëri apo ndokush dëshiron t’i hedhë benzinë zjarrit”, ka mbyllur prononcimin e tij, Administratori i Përgjithshëm i Klubit të Futbollit “Vllaznia sh.a.”, Kujtim Shaba.

Mejdan Zhivani