Federata Shqiptare e Futbollit do të zhvillojë mbrëmjen gala për “Më të mirët 2024” në Shqipëri. Përmes emocioneve, do të zbulohen më të mirët e Kategorisë Superiore dhe futbollit shqiptar, për vitin 2024.
Mbrëmja gala e Federatës Shqiptare të Futbollit, do të jetë momenti kulmor i një viti special ku do të vlerësohen protagonistët kryesorë të futbollit, djem dhe vajza, të cilët kanë shkëlqyer me paraqitjet e tyre në fushën e lojës.
Gjithçka është përgatitur në detaje për një mbrëmje festive, që do t’i dedikohet futbollit vendas dhe kombëtares kuqezi. Do të ripërshkruhen edhe njëherë të gjitha momente magjike të vitit 2024, në një super spektakël dhe me të ftuar të veçantë.
FSHF do të japë çmimet: “Topin e Artë” për djem dhe vajza, “Këpucën e Artë” për djem dhe vajza, “Trajneri i Vitit”, “Talenti i Vitit”, “Talentja e Vitit”, “Arbitri i Vitit”, “Formacioni i Vitit”, por edhe shumë çmime të tjera. Mbrëmja gala do të zhvillohet më 27 Janar në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit duke nisur nga ora 20:00.
Sa i takon çmimit prestigjioz të “Topit të Artë”, kandidatët për këtë çmim janë katër futbollistë.Bëhet fjalë për ish-lojtarin e Partizanit Arinaldo Rrapaj, sulmuesin e Vllaznisë Bekim Balaj, sulmuesin e Skënderbeut Ermir Rashica dhe mesfushori i Egnatias Albano Aleksi. Të katër këta futbollistë ishin vendimtarë me ekipet e tyre dhe tani synojnë të fitojnë “Topin e Artë” në Shqipëri.