Torino nis nga pankina punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, teksa në stolin e skuadrës “granata” nuk do të jetë më kroati Juric. Ashtu siç ishte paralajmëruar më herët, Torino zyrtarizoi divorcin me trajnerin kroat dhe në të njëjtën kohë prezantoi edhe trajnerin e ri.
Emri i përzgjedhur për të drejtuar ekipin është italiani Paolo Vanoli, i cili sezonin që lamë pas bëri një punë të shkëlqyer te Venezia, duke rikthyer lagunarët në elitën e futbollit italian pas shumë vitesh.
Vanoli kishte një klauzolë prej një milionë eurosh për prishjen e kontratës me Venezian, teksa për të marrë trajnerin, Torino arriti marrëveshjen me lagunarët që të paguajë vetëm 800 mijë euro.
Ndërkohë, me Torinon trajneri Vanoli ka firmosur për dy sezone dhe nga kjo kontratë do të përfitojë dy milionë euro në total, shifër që mund të rritet nga bonuset e shumta të parashikuara.