Pas shitjes së “yllit” të tyre, Alessandro Buongiorno, te Napoli, për plot 40 milionë euro, drejtuesit e “Demave” të Torinos kanë filluar të kërkojnë një qendërmbrojtës të ri dhe një ndër emrat që pëlqehet shumë nga klubi i Serie A është Albian Hajdari, 21-vjeçari shqiptar, që aktualisht luan te Lugano, në elitën e futbollit zviceran.
“Dardani” i prapavijës ka qenë më parë pjesë e ekipit të të rinjve të Juventusit, teksa konsiderohet si një lojtar me shumë potencial, ku përveç qendrës së mbrojtjes, Hajdari mund të aktivizohet edhe në krahun e majtë të repartit të prapavijës.
Presidenti Cairo pritet të përpilojë një ofertë zyrtare për kartonin e mbrojtësit potent, i cili do e priste me kënaqësi rikthimin në qytetin piemontez.
Kartoni i tij vlerësohet maksimalisht 4 milionë euro dhe aktualisht pas tij janë vendosur edhe Augsburg e Girona.