© shkodrasport.com
Tota, Mujeci e Drabeja firmosin në Kosovë me ekipin e Trepçes
Skuadra e Adës ka bërë maksimumin e mundshëm në merkaton e dimrit për të ofruar lojtarë cilësorë në mënyrë që të shpëtojë nga rënia prej kategorisë. Ajo ka ofruar dy futbollistë malazezë si dhe Pukën dhe Markolajn. Por ndërsa janë ofruar disa futbollistë, planet për drejtuesit e Adës janë prishur jo pak. Tre nga futbollistët e saj më të mirë, mbrojtësit Feliks Tota e Oltion Drabeja si dhe sulmuesi Ndue Mujeci. Të tre këta futbollistë kanë marrë një ofertë më të mirë nga ekipi kosovar I Trepçes së Mitrovicës. Për rrjedhojë, prej dy ditësh këta futbollistë ndodhen në Kosovë dhe madje ditën e djeshme kanë firmosur kontratë me këtë ekip për të qenë pjesë e tij deri në fund të sezonit. Me largimin e tyre, janë shtuar hallet për trajnerin Kujtim Shaba. Ai e kishte menduar skuadrën të stabilizuar për fazën e dytë të kampionatit nisur edhe nga përforcimet e bëra megjithatë me largimin e Totës, Mujecit dhe Drabejës, janë ndryshuar jo pak gjëra. Gjithsesi velipojakët do mundohen të bëjnë më të mirën e mundshme në fazën e dytë për të shpëtuar nga rënia prej kategorisë. Ardhja e dy malazezëve, Vuk dhe Junçaj, ka rritur jo pak forcën e skuadrës sepse kemi të bëjmë me futbollistë me përvojë dhe që mendohet të bëjnë më të mirën për Adën në fazën e dytë. Po ashtu, ardhja e sulmuesit Puka dhe mesfushorit Markolaj, ka rregulluar jo pak gjëra në këto dy reparte. Kësisoj do bëhet më e mira e mundshme për ndeshjen e ardhshme që as këtë sezon skuadra velipojake të qëndrojë edhe njëherë në kategorinë e parë ashtu siç ka bërë gjithë këto sezonet e fundit. Presidenti Pjetri, pavarësisht mosmarrëveshjeve me kryekomunarin Ujka, ka premtuar të bëjë më të mirë për Adën që ajo të realizojë objektivin që ka.