Afrim Tovërlani është një nga trajnerët më të shuqar në kampionatin e Kosovës dhe së fundmi ka vendosur të marrë në drejtim Ferronikelin me qëllim ta sjellë në nivelet e sezonit të kaluar.

Në të shkuarën ai ka pasur edhe një propozim nga Safet Gjici për të marrë në drejtim Kukësin. Në emisionin “Fan Zone” në Super Sport, ai tregon detajet e bisedës dhe mendimin që ka për futbollin shqiptar.

“Kam folur me Gjicin. Kukësi ishte prapa Skënderbeut me 12 pikë. Ma tha a mund të dalim kampion. I thashë jo. Nëse duhet ta gënjesh dikë në sy, unë nuk e bëj dot. I garantova Europën, përmes kampionatit ose Kupës, pasi ishin endë në garë. Skënderbeu kishte skuadër të fortë, nuk ishte shkapërderdhur akoma. I thashë që nuk dalim dot kampion.

Herë tjera nuk kam pasur biseda të drejtpërdrejta. Kam pasur me ndërmjetësues. Me aq sa e njoh futbollin, në klubet e Shqipërisë në shumën e rasteve vendosin bosët, jo trajnerët.

Ndoshta është klima më e mirë tani të punohet në Kosovë, se sa në Shqipëri. Kam folur me lojtarë që kanë luajtur atje dhe e di që është më e vështirë puna e trajnerit në Shqipëri”, përfundoi ish-trajneri i Ferizajt. /vipsport/