Ka nga ata, që duke i ndenjur besnik atij patriotizmi tradicional, i quajnë ata që largohen nga vendi tradhtarë. Madje ky mendim vazhdon të shfaqet paradoksalisht edhe në këto vite të demokracisë, duke harruar se vetë jeta ka kërkesat e veta. Kjo gjë bëhet edhe më domethënëse për sportistët cilësorë.

Por le të kthemi tek rasti konkret, për ta trajtuar gjerësisht këtë problem.

Këto ditë një mundës i shkëlqyer si Elis Guri u shpall kampion i botës në peshën 96 kilogramë. Por ndonëse i jemi gëzuar rezultatit të mundësit shqiptar, entuziazmi na zbehet disi kur mësojmë se ai e ka arritur këtë rezultat ndërsa ka përfaqësuar një shtet tjetër, Bullgarinë. Po Elis Guri nuk është se qe një shpërthim i rastit. Ai kishte kohë që shkëlqente në sportin e mundjes. Ai është djali i një prej mundësve më të mirë të vendit Iljaz Guri, i një sportisti i cili ishte ndër më të mirët që ka prodhuar shkolla shqiptare e mundjes. Por Elisi mesa duket kishte trashëguar të njëjtat cilësi, mbase më të mira nga çfarë kishte pasur babai i tij. Brenda pak viteve Elis Guri u bë pjesë e ekipit kombëtar dhe një sportist që do të nderonte flamurin kombëtar në aktivitete të rëndësishme. Arritja më e madhe është padyshim medalja e bronzit në Kampionatin Europian të vitit 2007, zhvilluar në Finlandë. Specialistët do të shpreheshin me superlativa për këtë sportist cilësor.

Në Botërorin e zhvilluar në Azerbajxhan ai zuri vendin e 7-të, çka i dha të drejtën, që për herë të parë mundja shqiptare të përfaqësohej në Lojërat Olimpike. Edhe në Pekin Elis Guri nuk zhgënjeu. Vendi i 8-të ishte rezultati i dytë më i mirë në historinë shqiptare gjatë pjesëmarrjes së vendit tonë në olimpiada. Pasi fitoi me meritë ndaj kampionit olimpik në fuqi, egjiptianit Karam Gamber, në finale atij iu mohua padrejtësisht fitorja.

Ky pra, ishte Elis Guri në kohën që përfaqësoi Shqipërinë sepse më vonë ai u largua nga vendi, ose më mirë me thënë e larguan. I dënuar 3 vjet për të mos marrë pjesë në asnjë aktivitet të një sporti që veç kënaqësisë nuk i sillte asgjë tjetër, ai nuk gjeti rrugë tjetër veç largimit, ndërkohë që talenti ynë kishte kërkesa të vazhdueshme për të përfaqësuar një shtet tjetër në këtë sport.

Elis Gurin e prisnin me krahë hapur disa mijëra kilometra larg nga vendlindja e tij. Në Bullgari ai nuk ishte krejt i panjohur, sepse gjatë përgatitjes për Olimpiadën e Pekinit kishte pasur mundësinë të stërvitej pikërisht në këtë vend. Federata bullgare e mundjes insistonte ta tërhiqte sportistin shqiptar duke parë tek ai një talent që shumë shpejt mund të arrinte në majat e këtij sporti. Në mars të vitit 2010 erdhi edhe kërkesa e parë zyrtare për t’u larguar dhe Elisi e bëri zgjedhjen e tij, duke u bashkuar me ekipin kombëtar të Bullgarisë. Në pak muaj Guri arriti të merrte edhe pasaportën bullgare, kësisoj ai u bë zyrtarisht pjesë e ekipit kombëtar.

Dhe ja tek vjen kulmi i tij. Në kampionatin botëror të mundjes që u zhvillua këto ditë në Turqi, Elis Guri shpallet kampion i botës në peshën 96 kilogramë, duke gëzuar veten, familjen, qytetin e tij Shkodrën, por edhe mbarë Shqipërinë.

Të vjen keq kur mendon se rasti Guri rikthehet në skenë pas 20 vjetësh. Pikërisht dy dekada më parë u largua nga Shqipëria Piro Dhima. Arsyeja ishte sepse nuk i dhanë të drejtën për të vazhduar Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”. Natyrshëm lind pyetja: Kush tjetër mund ta vazhdonte atë shkollë përveç një sportisti të talentuar dhe një kampioni të afirmuar si Piro Dhima? Dhe peshëngritësi u largua, u largua atje ku e prisnin me krahë hapur. Shumë shpejt ai u bë kampion olimpik e kampion bote, duke u kthyer në një simbol të sportit në vendin fqinj.

Por “tradhtia” u kthye në modë. Shqipëria e vogël nuk ishte në gjendje t’i mbante talentet e saj. Viktor Mitro dhe Agim Xhelili, që më vonë u bënë nënkampionë të botës u larguan drejt vendit fqinj të Greqisë, duke bërë sakrifica të mëdha si shumë emigrantë që e kaluan kufirin duke shkuar në këmbë. Asgjë nuk ishte e lehtë as për kampionin e botës Luan Shabani, të cilit iu desh shumë punë për të arritur në majat e atij sporti për të cilin ai kishte sakrifikuar gjithçka. Më vonë drejt Greqisë u largua edhe kampionia e botës Mirela Manjani por edhe kampionia e Greqisë për disa vite Sava Lika. Në Shqipëri ajo thuajse e la sportin por shpejt Sava u shndërrua në një yll të vendit fqinj.

Peshëngritësit ishin disa, por “tradhtarët” ishin të shumtë. Rudi Vata u detyrua të largohet në Francë, për të arritur kulmin me skuadrën Sëlltik të Gallaskout në Skoci. Sokol Kushta, Artur Lekbello, Lefter Millo, Foto Strakosha, Bledar Kola etj. u detyruan të largohen për në Greqi, kur më parë, drejt shtetin helen ishin larguar futbollistët Lulzim Bërshemi dhe Arvit Hoxha. Por tejet e dhimbshme ishte ikja e Edvin Muratit. 15-vjeçari merr rrugën e largimit nga Shqipëria, duke qenë i bindur se ai ishte një talent që mund të provohej në klubet më në zë të Europës. Dhe nuk u gabua. “Lusha” shpejt veshi fanelën e skuadrës së njohur franceze Paris SG.

Kemi ardhur kësisoj në vitin 2011, ku “tradhtia” vazhdon ende, por “tradhtarët” janë në fakt krenaria e sportit tonë. Ata treguan se Shqipëria është një vend që prodhon talente, talente që si Elis Guri tashmë janë edhe kampion të botës.

Mungesa e theksuar e një interesimi për sportin ka bërë që dëshirat e shumë talenteve të mbesin vetëm dëshira. Tashmë të gjithë e dinë se për të pasur rezultate nuk mjafton vetëm “patriotizmi”. Kam ndjekur disa herë kushtet e vështira të përgatitjes së sportistëve tanë dhe kushte ideale, që u janë krijuar atyre kur janë stërvitur në vendin fqinj. Kështu ka ndodhur me Klodiana Shalën apo Admir Bregun. Kështu ka ndodhur me peshëngritësin, që ka prekur kufijtë rekord të peshës së tij, Erkand Qerimaj. Falë kushteve ideale që u krijuan atyre, kam parë në sytë e sportistëve tanë kënaqësinë e një pune, që dha frytet e dëshiruara, por pse jo edhe mendimin sikur këto kushte t’i kishim edhe në Shqipëri. Por kjo gjë nuk iu realizua kurrë. As edhe këto ditë që po flasim.

Pikërisht këto ditë kam shoqëruar një talent të atletikës sonë në një klub grek të Athinës, Panelinio, aty ku ka njohur edhe shkëlqimin e saj Sava Lika. Kushtet e mrekullueshme, pista e stërvitjes me tartan, dy pishina dhe mjedise të tjera, krijuan tek talenti shkodran Mario Shestani, ndjesinë e të qenurit sportist. E kam parë me vëmendje mimikën e tij teksa ka ndryshuar. Më në fund nuk duroi dhe foli: “Ky ambient të imponon për të dalë kampion”. Mesa duket, rrjedhja do të vazhdojë derisa interesimi i shtetit për sportin është në nivelin zero. Ndërkohë që i kërkojmë sportistëve të maten me botën, nuk u plotësohen atyre as kushtet më minimale.

Fakti më domethënës ishte i ditëve fundit, ku peshëngritësit e rinj u shpallën kampionë të Europës dhe morën disa medalje, por pjesëmarrja e tyre në kampionatin europian të Bukureshtit ishte një aventurë e vërtetë. Fituesi i tre medaljeve të bronzta në Bukuresht Briken Calja, ka treguar anën e errët ku ndodhet sporti shqiptar. 21-vjeçari zbulon faktin e trishtueshëm se delegacioni ynë nuk kishte as edhe mjek me vete.

Ndërkohë, trajneri dhe xhaxhai i nënkampionit të Evropës Hysen Pulaku, ka treguar për një kanal televiziv se të gjitha shpenzimet për udhëtimin, akomodimin dhe pjesëmarrjen në garë i ka mbuluar vetë, ndërsa shteti nuk ka kontribuar fare në këtë përfaqësim. A mund të vazhdohet kështu? A mund të pretendosh të marrësh medalje, duke u paraqitur në këtë mënyrë skandaloze? Kurrsesi jo. Ndaj çdo ditë emra të mëdhenj të sportit tonë, madje skuadra me shumë emër po largohen nga skena sportive, sepse nuk janë në gjendje t’u rezistojnë kushteve të forta të ekonomisë së tregut. Kështu edhe sportistët. Është kollaj për t’u thënë atyre “tradhtarë”por siç e lexuat më sipër, janë pikërisht këta “tradhtarë” krenaria e sportit tonë.

Ramadan Bigza

Kryeredaktor i “ALBANIA PRESS”