Direkt pas përfundimit të kampionatit, Vllaznia shfaqi edhe njëherë traditën e vjetër të largimit të stafit drejtues të skuadrës. Kjo ka ndodhur pothuajse në çdo vit me presidentin Alban Xhaferi, që nga marrja e drejtimit të tij të klubit kuqeblu.

Kjo ndodhi edhe këtë vit, me trajnerin Goçe Sedloski dhe drejtorin sportiv, Vioresin Sinani, që iu tregua dera. Me pak fjalë, Vllaznia çdo vit spastron aktorët kryesorë të drejtimit.

Realisht, përtej mangësive të shfaqura gjatë gjithë këtyre sezoneve, klubi dëshmon edhe njëherë se nuk e ka larguar traditën negative të shkarkimeve dhe ndryshimeve pas çdo sezoni, teksa ndoshta nuk u ka dhënë rrespektin e duhur figurave, që e kanë ndihmuar skuadrën të arrijë objektivat.

Në katër vite menaxhim të Vllaznisë nga presidenti Alban Xhaferi, vetëm dy vitet e para nuk ka pasur ndryshime, teksa vijuan si trajner Thomas Brdariç dhe Matko Djarmati si drejtor sportiv. Ndërkohë, vitin e kaluar trajner ishte Mirel Josa dhe drejtor sportiv Auron Miloti, ndërsa së fundmi ishte Goçe Sedloski si trajner dhe Vioresin Sinani si drejtor sportiv.

Tashmë, as ky vit nuk kaloi pa ndryshime, teksa trajneri i ri do të jetë Migen Memelli dhe drejtor sportiv Elvis Plori. Në këtë situatë bën të ngrihet një pyetje e thjeshtë: Pse Vllaznia nuk gjen stabilitet as me trajnerin as me drejtorin pas përfundimit të çdo sezoni?
Maringlen ZHIVANI