Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do presë ditën e nesërme ekipin e Laçit, në kuadër të javës së 13-të të Superiores. Shkodranët duan me patjetër reagimin pas humbjes kundër Partizanit në shifrat 4-1. Situata nuk është aspak e qetë në kampin kuqeblu dhe një sukses ndaj laçianëve do ishte një lloj “ilaçi”.

Statistikat e viteve të fundit tregojnë se 9 herë kampionët e vendit kanë qenë dominues ndaj bardhezinjëve përsa i përket dueleve në Shkodër. Kështu Laçi nuk arrin të marrë një fitore në “Loro Boriçi” që nga data 05.02.2021, pra më shumë se dy vite. Në atë ndeshje Laçi fitonte në shifrat 1-2, ku Nwabueze dhe Harmon do bënin të pavlefshëm golin e Imerit.

Në duelet pasaardhëse, Vllaznia ka arritur 4 fitore në shtëpi, ku përfshihet edhe një ndeshje gjysmëfinale e kupës. E po ashtu 2 barazime ndaj Laçit, duek treguar kështu një vijmësi dhe traditë rezultatesh në shtëpi. Ndeshja e fundit është mbyllur në shifrat 1-1 në stadiumin “Loro Boriçit”.

Dhe i përket sezonit të shkuar, ku për Vllazninë shënonte Balaj e ndërsa për Laçin do barazonte Guindo. Patjetër që statistikat dhe shifrat nesër nuk vlejnë aspak. Ku detyra e vetme e skuadrës është fitorja dhe marrja e 3 pikëve. Që do qetësonin disi situatën në kampin shkodran.