Policia italiane ka bërë të ditur sot se ka arrestuar tre persona të cilët kryenin një lloj trafiku klandestin, në këtë rast të futbollistëve të rinj, duke i sjellë nga Bregu i Fildishtë në Itali për të siguruar kontrata me klubet e njohura. “Skafistët e futbollit”, siguronin dokumentacion të rremë për lojtarët afrikanë në moshë të re dhe ata më pas udhëtonin drejt Italisë dhe fillonin provat në klube të ndryshme. Hetimet e bëra nga policia e Parmës kanë zbuluar skemën e mashtrimit dhe kanë arrestuar një menaxher italian, si dhe dy shtetas nga Bregu i Fildishtë, me akuzën e trafikut të qënieve njerëzore dhe të falsifikimit të dokumentave.

Hetuesit tregojnë se janë të paktën 5 futbollistë të moshës 13-17 vjeç të cilët janë sjellë në Itali me letra false, në të cilat përshkruheshin sikur kishin lidhje familjare me shtetas të Bregut të Fildishtë që kishin leje qëndrimi në Itali. Mes emrave është edhe ai i Asane Gnoukuri, mesfushorit të Interit, i cili u dha huazim në fillimin e vitit 2017 te Udineze. Atje ai u diagnostikua me një problem në zemër, që e ka lënë këtë vit larg fushave të lojës. Po hetohet nëse klubet ishin në dijeni të falsifikimit të dokumentave të këtyre futbollistëve të rinj.
vipsport.al