Me largimin e trajnerit Dejan Vukiçeviç, drejtimin e skuadrës kurbinase në stërvitje po e kryejnë dy zv.trajnerët e sezonit të shkuar, Klevis Hima dhe Sero Noka, i cili sapo është kthyer në klub.

Me shumë mundësi Noka do të gradohet i pari i pankinës dhe debutimi do të vijë në fundjavë ndaj Kastriotit në transfertë. Pas lëvizjeve në stafin drejtues, “era e ndryshimeve” pritet të ndihet edhe në ekip, nga porta në sulm.

Portieri Alen Sherri pritet të marrë sërish besimin e stafit, gjë e cila pritet të ndodhë edhe me Renato Malotën, që mund të jetë titullar që ndaj Kastriotit.

Sa i përket sulmit, një vjen dhe një ikën. Problemet për Van dej Harmonin kanë marrë fund dhe sulmuesi liberian pritet të jetë gati që këtë fundjavë për Laçin.

Zarubica u dëmtua në ndeshjen e fundit ndaj Egnatias dhe llogaritet si mungesë ndaj krutanëve. Mbetet për të parë se kush do të jetë zëvendësuesi i sulmuesit malazez, Ademi apo Harmon.