21 trajnerë të peshëngritjes shqiptare, mes të cilëve edhe ai i Vllaznisë- Muhamet Tuzi, që nga paraditja e djeshme, kanë nisur kursin e kualifikimit me të dërguarin e Federatës Botërore të Shtangës, rusin David Ringert. Ka qenë një bashkëpunim i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar, ndërsa institucioni i olimpizmit shqiptar, nëpërmjet solidaritetit olimpik, bëri të mundur ardhjen e një figure të madhe të peshëngritjes botërore për trajnerët tanë.

Në këtë kurs, që do të zgjasë dhjetë ditë dhe që ka nisur dje me ceremoninë e hapjes në Resortin “Te Stela” te kilometri i shtatë i autostradës Tiranë-Durrës, marrin pjesë emra të njohur jo vetëm të trajningut shqiptar, por dhe të drejtimi të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Gudar Beqiraj, Ferid Berberi, Zef Kovaçi, Muhamet Tuzi, Sokol Bishanaku, Theodhoraq Masllavica, Hektor Shaqiri, Islam Kurti, Endri Haxhihyseni, Fetije Kasaj, Ilir Çela, Kastriot Rukaj, Besnik Psatha, Kreshnik Leka, Mikel Lundraxhiu etj., për dhjetë ditë do të marrin të rejat më të fundit të trajningut botëror nga Ringert. Presidenti i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Elez Gjoza, ka bërë të qartë dhe për sekretarin e përgjithshëm, Muharrem Berisha, se kush nuk ka qenë prezent në këtë kurs kualifikimi me David Ringert, jo vetëm që nuk do ta marrë çertifikatën e kualifikimit, por as nuk do të jetë i licencuar për garat në vazhdim. Seminari do të përfundojë më 28 shkurt.
© shkodrasport.com