Atletika shkodrane e ka nisur mirë vitin 2012 me paraqitjen e bërë në garat e kampionatit të sallave të mbyllura që u zhvilluan pak ditë më parë në Tiranë. Këtë mendim ka njëri nga trajnerët e këtij ekipi pikërisht Albert Marashi. Duke folur për gazetën online shkodrasport.com, ai do shprehej: “Në këto gara, dy sportistë të ekipit tonë zunë vendet e para, pikërisht Elvedin Meti në garën e 400 metrave dhe Durjon Idrizaj në garën e kërcimit trehapësh. Ishte edhe një sportist tjetër që zuri vendin e parë në garën e 60 metrave me pengesa, pikërisht Bajram Muça por që në një mënyrë të turpshme do thosha unë, iu mohua vendi i parë nga gjyqtaria. Ai e kaloi i pari vijën e mbërritjes por në fund të garës është rrëzuar dhe gjyqtarit ia humbi garën. Besoj se kemi bërë një paraqitje të mirë në këto gara megjithëse nuk morëm pjesë me ekip të plotë”. Federata ka përzgjedhur ndërkohë edhe përbërjen e ekipit kombëtar që do marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura që do zhvillohet në Stamboll këtë muaj dhe në përbërje të tij janë edhe tre sportistë të Vllaznisë pikërisht Elvedin Meti, Durjon Idrizaj dhe Elsid Dizdari. Ajo që bën çudi është se pavarësisht këtyre rezultateve të atletëve shkodranë, asnjë trajner i këtij ekipi nuk do jetë në përbërje të ekipit kombëtar në garat e Turqisë. Për trajnerin Marashi kjo është paksa e habitshme sepse trajnerët shkodranë gjithnjë kanë qenë pjesë e këtyre ekipeve. Sa i takon sportistit që ai stërvit- Elvedin Metit, trajneri Marashi flet me superlativa për të teksa thotë: “Mendoj se kemi të bëjmë me një sportist të kompletuar. Elvedini është një sprinter i mirë dhe po punon fort për të rritur vazhdimisht rezultatet e tij. Të jesh kampion Shqipërie në këtë moshë nuk është pak megjithatë besoj se arritjet e tij në të ardhmen do jenë edhe më të mëdha”. Vetë Marashi përveçse është trajner, ende nuk ka hequr dorë nga sporti. Madje vazhdon të jetë i suksesshëm teksa vitin e kaluar ka qenë kampion i Shqipërisë dhe në fund të vitit edhe një nga 10 sportistët më të mirë të klubit Vllaznia. I pyetur se deri kur do ta vazhdojë sportin ai është shprehur: “Personalisht mendoj se është pak e lodhshme të bësh edhe punën e trajnerit edhe atë të sportistit por përderisa po vazhdoj të kem suksese në garat e mia, pse jo do vazhdoj edhe për disa kohë”. Tashmë kemi nisur një vit të ri dhe garat e para kanë filluar. Po cilat janë objektivat e atletëve shkodranë për vitin 2012. Albert Marashi i shpjegon qartë ato kur thotë: “Ashtu si dhe vitin e kaluar kur kemi dalë kampion me të gjitha grumopshat, nga fëmijët dhe deri tek të rriturit, edhe sivjet mendoj t’i përsërisim këto rezultate. Punohet mirë, elementi që kemi në dispozicion ka shumë të dhënë prandaj pse të mos jemi sërish më të mirët e Shqipërisë:.

Gjergj KOLA