Gert Verhejen cilësohej si një prej emrave të cilët mund të shpërthenin si trajnerë në futbollin belg në vitet fundit. Ish-sulmuesi belg kishte eksperiencë në nivelet më të larta si futbollist, duke luajtur edhe 50 ndeshje me përfaqësuesen e Belgjikës.

Por dështimi i tij në drejtimin e Ostendes në sezonin e kaluar, duket se e ndaloi disi ecurinë e teknikut i cili për 6 vite me radhë kishte drejtuar U19 të Belgjikës.

Në një intervistë të fundit për mediat belge, ai nuk ka ngurruar t’i vërë fajin për këtë dështim strategjisë që kishte pasur klubi, duke afruar futbollistë të cilët nuk ishin në nivelin e duhur për pretendime të mëdha.

Një prej tyre ishte Sindri Guri dhe ai merrte si shembull pikërisht sulmuesin shqiptar për të treguar këndvështrimin e tij pasi jo çdo test fizik e parametër sportiv mund të tregonte aftësinë e një lojtari për t’u përshtatur me një kampionat të ri.

“Rezultatet e testit të tij ishin fantastike. Ai ishte një transferim i mirë sipas të gjithë parametrave. Por kampionati shqiptar është kampionati shqiptar, nuk është kampionati belg. Më gjeni një shqiptar që është i mirë mjaftueshëm për Belgjikën”, ishin fjalët e Verhejen, duke lënë të kuptonte se strategjia e klubit kishte sjellë dështimin e tij.

Në sezonin që Verhejen drejtoi Ostende, Guri shënoi 2 gola në 23 ndehsje të luajtura në kampionat.. /vipsport/