Burreli ka fituar duelin me Lushnjën për vendin e katërt. Skuadra e drejtuar nga Ditmar Bicaj ka fituar me përmbysje, 3-1, në fushën sportive të Plugut. Diferenca ka shkuar në +7. Ndeshja u zhbllokua nga vendësit që shënuan me Hidën në pjesën e parë.

Pas pushimit, braziliani Helio barazoi rezultatin për matjanët. Më pas, sulmuesi Farruku bëhet protagonist me një dygolësh, duke u dhënë fitoren matjanëve. Lushnja rikthehet te humbja, por, falë golavarazhit, ruan vendin e pestë, ndonëse ndodhet në të njëjtën kuotë pikësh, 37, me Pogradecin e vendit të gjashtë. Burreli është kthyer në një “mace të zezë” për Lushnjën, pasi të besuarit e trajnerit Bicaj i kanë fituar të trija përballjet e këtij sezoni, duke marrë 9 pikë të plota.

Ditmar Bicaj, trajneri i Burrelit, pas fitores me Lushnjën u shpreh: “Pjesa e parë ishte meritë e Lushnjës. Komplimente kundërshtarit për 45 minutat e para. Ajo që ndryshuam më shumë në pjesën e dytë, ishte lëvizshmëria, daljet nga krahët. Pjesa e dytë ishte jashtëzakonisht shumë e mirë. Mbi të gjitha, u futëm me një marsh tjetër. Pjesën e parë e morëm pak lehtë, megjithatë i përgëzoj lojtarët. Çelësi i suksesit është harmonia.

Grupi na ka çuar deri këtu ku jemi. Ky ekip akoma nuk i di limitet e veta. Farruku? Është basti im personal. Që ditën e parë që kam ardhur në Burrel, i kam thënë: ‘Ti do të shënosh 15 gola’. Futbolli ka të bëjë më shumë me anën psikologjike. Farruku është profesionist dhe e dashuron futbollin. Mbi të gjitha, ne shërbejmë si trampolinë, që këta futbollistë të shkojnë në ekipe më të mira, sepse do të shohin edhe karrierën e tyre futbollistike”.