Nga Maringlen ZHIVANI

Skuadra e Vllaznisë do të luajë në transfertë me Skënderbeun të dielën, duke nisur nga ora 16:30, për llogari të javës së 21-të të Abissnet Superiore.

Në prag të kësaj ndeshje, në konferencën për shtyp, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç, pavarësisht se i vlerësoi korçarët, tha se Vllaznia do të kërkojë fitoren ndaj Skënderbeut dhe se skuadra e tij do të luajë vetëm për tre pikët.

“Jemi munduar të përgatitemi për këtë sfidë të vështirë me Skënderbeun. Është ndeshja e tretë brenda një javë dhe ne e dimë që kushtet atmosferike në Korçë do të jenë të vështira. Prandaj, na duhet të jemi sa më mirë fizikisht dhe të jemi të gatshëm, sepse Skënderbeu është një ekip mjaft i mirë fizikisht.

Duhet të jemi vigjilentë që ta kapim këtë ndeshje që nga fillimi. Nuk e nënvlerësojmë aspak Skënderbeun. Kemi luajtur dy herë këtë sezon me ta dhe e dimë ku i kanë pikat e forta, por përsëri na duhet të ndjekim mangësitë e tyre.

Duhet të jemi sa më të disiplinuar dhe shumë të vëmendshëm. Duhet t’i tregojmë çdo ekipi që jemi një grup i fortë dhe besojmë në çdo moment që ne do fitojmë ndeshjen. Ne do shkojmë në Korçë për të fituar dhe për të marrë tre pikët.”