Te Vllaznia vijojnë me intensitet përgatitjet për sezonin e ri dhe futbollistët po marrin ngarkesat e duhura fizike me të cilat do të përballojnë më pas edhe sezonin e ri futbollistik.
Kuptohet që gjatë këtyre ditëve, trajneri Brdariç “i ka mërzitur” paksa lojtarët e tij me seancat e lodhshme, por tekniku gjermano- kroat ka gjetur edhe mënyrat për “t’i shpërblyer”.
Kështu ka ndodhur edhe ditën e sotme. Seanca e paradrektes ka zgjatur plot 2 orë e 30 minuta dhe ka përfunduar në 12.30. Ajo është karakterizuar nga ushtrime fizike, por edhe taktike.
Kuptohet që temperaturat e larta i kanë rraskapitur jo pak futbollistët e Vllaznisë, megjithatë stafi u ka bërë një “dhuratë” për pasdite. Nuk ka patur stërvitje, por i gjithë ekipi ka qenë në pishinat në periferi të qytetit.
Ditën e nesërme ndërkohë siç është bërë e ditur, Vllaznia do të luajë në orën 16.00 në Durrës miqësoren me Teutën dhe skuadra do të mundohet të tregojë më të mirën e saj në këtë përballje në mes dy ekipeve të Superiores.
www.shkodrasport.com