Vllaznia do jetë përballë Teutes ditën e nesërme në kuadër të javës së 11-të të Superligës. Kjo duket një sfidë që mund të fusë fuqishëm në garë shkodranët për titullin kampion pas 2 fitoreve rradhazi. Tashmë skuadra kuqeblu gëzon “shëndet” të plotë dhe objektivi përballë durrsakëve patjetër është një rezultat pozitiv.

Ajo që gëzon më shumë në këto çaste, përveç faktit se mbrojtja ka mbajtur portën e paprekur në ndeshjen e fundit, është edhe pjesa sulmuese e skuadrës. Të gjithë kanë lënë pas problemet fizike dhe po gëzojnë një formë të mirë sportive. Gjithë sulmuesit e Vllaznisë kanë shënuar në vazhdimësi në javët e fundit.

Ardit Hoxhaj ka fituar formacionin në javët e fundit. Po ashtu edhe Da Silva shënoi në ndeshjen e fundit kundër Laçit. Po ashtu Aralica dhe Latifi duken të paprekshëm dhe po ashtu po japin një kontribut të madh për skuadrën. Gjithashtu rikthimi i Djurdjevic nga dëmtimi e kompleton totalisht repartin e sulmit.

Një “dhembje koke” për trajnerin Brdariç ku duke parë formën shumë të mirë të të gjithë sulmuesve do e ketë të vështirë të zgjedhë treshen sulmuese. Patjetër që gjermani kërkon të ketë “probleme” të tilla çdo herë dhe të ketë luksin e përzgjedhjes së më të mirëve për të kontribuar në takimet e Superligës.
Endri ÇINARI