Nga Maringlen ZHIVANI

“Vllaznia B” ka zhvilluar një tjetër ndeshje kontrolli, këtë herë ndaj Tërbunit. 90-minutëshi i këtij takimi miqësor është mbyllur me fitoren e ngushtë 1-0 të kuqebluve. Golin e vetëm e shënoi sulmuesi i ardhur së fundmi, Matouti.

Stafi teknik i ekipit shkodran përballë pukjanëve aktivizoi futbollistët, të cilët nuk ishin të angazhuar në sfidën e kampionatit ndaj Teutës dhe sipas trajnerit, Thomas Brdariç, kjo u shërben lojtarëve të tij.

“Për mua ishte ndeshje e rëndësishme për të parë futbollistët që janë aktivizuar më pak. Bëmë një ndeshje që këta lojtarë të marrin pak eksperiencë dhe të jenë gati për të luajtur edhe në kampionat. E rëndësishme është që të jemi sa më gati për ndeshjet e kampionatit dhe kam një mesazh për futbollistët që duhet të tregojnë përformancë të mirë.

Njëkohësisht të tregojnë se e meritojnë për të luajtur dhe për të qenë opsione të rëndësishme për Vllazninë. Kam parë progress tek këta futbollistë, kam parë që janë rritur dhe janë në formë të mirë. Ne do punojmë që t’i kemi futbollistët e rinj gati dhe në rast nevoje, t’i aktivizojmë ndeshje pas ndeshje.”

Në fundjavë, pikërisht të dielën në ora 17:00 Vllaznia do të luajë ndeshjen e rradhës për kampionat në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës me Bylisin./www.shkodrasport.com/