Vllaznia është kthyer te fitorja dhe duke marrë sërish kryesimin e Kategorisë Superiore. Shkodranët bëjnë ligjin pas gjashtë javësh, kryesim i cili erdhi pas fitores së fundit në shtëpi ndaj Bylisit.
Vllaznia fitoi pa praninë e trajnerit Tomas Brdariç, i cili për arsye shëndetësore nuk ishte prezent në pankinë dhe ekipin e drejtoi ndihmësi i tij, Elvis Plori.
Dyshimet ishin se trajneri ishte i infektuar me COVID, ndaj klubi mori masat duke e izoluar gjermano-kroatin e pankinës. Por, trajneri e ka larguar alarmin në prononcimin e dhënë për gazetën një ditë pas ndeshjes, pasi ka lënë të kuptojë se nuk është i infektuar me Koronavirus. Tomas Brdariç, i pyetur nga “Panorama Sport” për gjendjen që po kalon dhe mungesën ndaj Bylisit, deklaroi:
“Jam më mirë. Le të shikojmë, mbase mund të rikthehem më shpejt sesa ishte menduar, sepse kam marrë shumë antibiotikë. Nuk kam simptoma të ngjashme me COVID-in dhe ky është një lajm i mirë”.
Trajneri nuk jep më shumë sqarim, por lajmi i mirë është se Brdariç pohon se nuk ka simptoma COVID-i dhe pasi është “dendur” me antibiotikë, pret të rikuperohet më shpejt. Kuqebluve u ka mjaftuar goli i Imamit në minutën e 51-të, por duhet pranuar se Vllaznia shpërdoroi shumë raste, gjithsesi kryeson me 13 pikë.