TPërgatitjet e ekipit të Vllaznisë për sezonin e ri po shkojnë në mënyrën e duhur dhe tek të gjithë pjestarët e tij ka shumë dëshirë për të bërë mirë.
Pikërisht nga kjo dëshirë që konstaton, trajneri Thomas Brdariç duket shumë i kënaqur dhe beson se nëse kjo gjë vazhdon edhe në të ardhmen, padyshim që do të vijnë edhe sukseset e ekipit.
Një deklaratë të tillë tekniku kroat e ka bërë nga Korça, qytet ku ekipi i Vllaznisë është duke u stërvitur prej të hënës.
“Ndjehem shumë mirë në Shkodër sepse më pëlqen vendi, më pëlqejnë njerëzi dhe po ashtu besoj se do të kemi sukses. Për të shkuar deri tek trofetë që i duan të gjithë sigurisht që duhet shumë punë. Jam i kënaqur sepse i gjithë stafi, drejtuesit dhe të gjithë pjestarët e tjerë të grupit po punojnë fort, por duhet pak kohë.
Kemi filluar një projekt të ri dhe patjetër që nëse një punë e tillë do të ketë vazhdimësi, besoj se edhe trofetë do të kthehen tek Vllaznia. Kam një filozofi dhe strategji timen të punës dhe po mundohem ta aplikoj te skuadra.
E rëndësishme është që të punojmë fort dhe përpos punës, në futboll duhet edhe pak fat, megjithatë shpeshherë edhe fati ndihmon më të mirët, ata që punojnë. Mendoj se do të ketë një gërshetim të futbollit gjerman me atë shqiptar, por duhet të kuptojmë se futbolli është një luftë dhe duhet punuar fort për ta fituar atë. Sapo të krijojmë një stabilitet do të mundohemi të krijojmë lojën tonë, me të cilën do të synojmë suksesin”- ka deklaruar ai.
Vllaznia gjatë qëndrimit në Korçë do të zhvillojë dy ndeshje miqësore me të cilat do të kërkojë të harmonizojë sa më mirë lojtarët e ardhur së fundi në skuadër me pjesën tjetër të futbollistëve.