Gilman Lika mund të rikthehet në Shkodër. Nga sa tregon vetë trajneri Artan Bushati, mesfushori shkodran i ka dhënë fjalën që, nëse nuk ikën jashtë vendit, atëherë ai do të veshë fanellën e kuqebluve. Nga sa bëhet e ditur nga tekniku Bushati, Lika ka premtuar se mund të jetë pjesë e ekipit të Vllaznisë sezonin e ardhshëm. “Kam folur me Likën dhe parimisht mund të them se është dakord që të vijë në Shkodër. Ai ka dëshirë që të luajë sërish për Vllazninë, por natyrisht që do të shikojë gjithçka si një profesionist. Tani le të shpresojmë se ai do të kthejë atë përgjigje që të gjithë ne presim të marrim prej këtij lojtari”, – ka thënë tekniku Bushati.

Ndërkohë mesfushori rumun Kristian Dragoi pritet që sezonin e ardhshëm të jetë pjesë e bardhebluve, dëshirë që e ka pranuar edhe te shokët e tij. Futbollisti, edhe pse duhet të kthente një përgjigje te drejtuesit shkodranë, pas ofertës që ata i bënë për të rinovuar, ka hezituar. Nuk ka reaguar fare dhe ka marrë rrugën drejt Amerikës, për të pushuar me familjen e tij. Në fakt, një ditë përpara nisjes, ai u takua me trajnerin dhe kanë folur për një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen. Por, nga sa mësohet, Dragoi nuk ka dashur të ngutet në përgjigjen që do t’u kthejë drejtuesve të klubit. Ai ka preferuar që të qetësohet dhe pasi të kthehet në Shqipëri të vendosë. E sigurt është që Dragoi i ka kërkuar presidentit Çela që ta rishikojë kontratën e tij, sigurisht që në termat financiare. Vetë Artan Bushati për gazetën në lidhje me merkaton thotë se: “Ashtu si Vujadinoviçit, Smajlit edhe Dragoit i është bërë afro një muaj më parë një ofertë. Unë kam takuar këto ditë Dragoin dhe më ka dhënë një farë premtimi që do ta mendojë ofertën tonë. Ai do të kthehet më 2 korrik në Shkodër dhe do të diskutojmë për të ardhmen”.
Admir URUÇI