Trajneri i Vllaznisë, Artan Bushati, i është kënaqur trepikëshit të marrë në Fier duke shpalosur sërish ambiciet kuqeblu për Europë. Pas ndeshjes, tekniku ka treguar edhe çelësin e fitores së marrë. “Ishte një ndeshje që kishte brenda presionin psikologjik, aq më tepër që vinim nga një humbje. Më duhet të pranoj se në pjesën e parë skuadra nuk funksionoi, sepse nuk luajti lirshëm me një mendësi për të bërë më të mirën e mundshme. Mosmenaxhimi si duhet i situatave të lojës të çon në atë që nuk ndahen momentet, dhe si i tillë ekipi nuk funksionoi.
Në pushim u kërkova djemve që të interpretonim një lojë duke luajtur më tepër nga krahët. Një gjë e tillë dhe me futjen e Rexhës në fushë, që na dha sinjale pozitive, filloi të funksiononte, pasi ai ishte më i orientuar se Gjini. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me rezultatin e arritur. Loja ka shumë për të riparuar dhe si e tillë do të përgatitemi për ndeshjen e radhës me Bylisin, që është shumë e vështirë. Unë mendoj se do të jemi racionalë ndaj këtij kundërshtari, i cili ka mjaft kualitete dhe vjen pas një fitoreje të arritur ndaj Kukësit. Trepikëshi i marrë sot (dje) na vlen shumë, pasi na çon më lart në tabelën e klasifikimit, por dhe në anën psikologjike i jep skuadrës një mentalitet të ri, atë të fituesit që Vllaznisë i ka munguar. Tashmë në çdo ndeshje do të hyjmë vetëm për fitore. Zona europiane është objektivi ynë, por synimi parësor mbetet ndeshja e radhës”.
www.shkodrasport.com