Trajneri i Vllaznisë, Artan Bushati, ka kërkuar të harrohet fitorja ndaj Skënderbeut dhe që e gjithë vëmendja të përqendrohet te sfida e fundjavës ndaj Kukësit. Një gjë të tillë ai e ka bërë të ditur edhe në një emision sportiv, në një nga mediat lokale të Shkodrës, teksa është shprehur se për Vllazninë tani shtohen përgjegjësitë. “Fitorja me Skënderbeun ishte me të vërtetë e bukur, pasi të triumfosh me një skuadër elitare tregon se edhe ekipi është i të njëjtit nivel. Megjithatë, tashmë e kemi lënë pas dhe kemi nisur të mendojmë për Kukësin.

Në Shkodër nuk na falet asnjë rezultat tjetër veç fitores. Ndaj përgjegjësia tani është shumë më e madhe për ne. Lojtarëve u kam kërkuar që ta harrojnë të shkuarën dhe të përqendrohen te sfida me debutuesit e Superiores. Ndonëse kemi arritur një fitore të çmuar, në kampin tonë nuk ka vend për vetëkënaqësi”.
Kukësi
– Numri një i pankinës shkodrane, Bushati, më tej ka vlerësuar kundërshtarin që do të kenë përballë këtë fundjavë, Kukësin, por jo vetëm. Ai nuk ka harruar të vlerësojë edhe treshen shkodrane që e udhëheq këtë ekip: Armando Cungu, Esat Rakiqi dhe Avenir Dani. “E kemi vlerësuar Kukësin, pasi jo pa meritë renditet në vend të katërt të klasifikimit. Gjithashtu, udhëhiqet nga një treshe shkodrane, ndaj dhe vlerësimi është akoma më i madh. Kukësi nuk është si Korça, por më i ashpër. E në këto kushte, ne duhet të luajmë më fort. Nuk duhet të nisemi nga emri për të kërkuar një rezultat pozitiv, por duhet të vlerësojmë drejt kundërshtarin”, – ka thënë tekniku.
Rezultati
– Ashtu si çdo shkodran, edhe Bushati nuk mendon asnjë rezultat tjetër veç fitores në përballjen me Kukësin. Ndërkaq, pozitiv për teknikun është rikthimi i gardianit Vujadinoviç, por ai e shikon skuadrën si një të tërë. “Nuk ka asnjë diskutim që në takimin me Kukësin nuk do të na tolerohej nga askush, por as nga vetja, një rezultat tjetër veç fitores. Kjo është ajo që kërkojmë në këtë takim. Rikthimi i Vujadinoviçit është pozitiv, por Vllaznia mund të them se ka nevojë për çdo lojtar, por nga ana tjetër edhe për asnjë të tillë. Shkodra prodhon futbollistë, por këta duhet të vihen në funksion të Vllaznisë. Unë kam besim te ky grup se mund të marrim maksimumin në fundjavë. Dhe për këtë i kemi të gjitha mundësitë”.

Admir URUÇI