Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi foli në konferencën për shtyp përpara miqësoreve me San Marinon dhe Malin e Zi në datat 16 dhe 20 nëntor në Podgoricë. Tekniku i Shpresave është fokusuar në emrat e rinj kushtëzuar edhe nga data jozyrtare e FIFA dhe do t’i testojë lojtarët para sfidave zyrtare. Bushi beson se grupi i tanishëm, nëse i bashkohen edhe disa elementë të tjerë, mund të arrijnë kualifikimin në Europian.

Andreas Ndoj – Ndoj bëri dy zgjedhje brenda një muaji. Ka qenë lojtar i rëndësishëm i joni që në fillimet e tij te Shqipëria U17. Pastaj iku te Greqia e më pas kur nuk po e merte Greqia, unë pashë disa video dhe më pëlqeu. Kontaktova me prindërit e tij dhe më thanë se do të vijë me kënaqësi. Erdhi u bë pjesë e U-21 dhe hodhi firmën për të ndryshuar kombëtaren. U rikthye në Greqi pastaj kur e mori ekipi i parë tha se nuk donte të luante më për Shqipërinë. Nuk ka asnjë lloj problemi për ne pasi duam lojtarë që ta ndjejnë fanellën dhe jo me dy mendje. Nuk duam të luajnë shumë me ne. Unë i uroj suksese.

Shpresa për rikthim? – Ne mirëpresim këdo, nuk ka asnjë lloj problemi. Nëse ai do të jetë në kapacitetin e duhur për të luajtur, ai është lojtar që ka cilësi por tani u bë kjo puna hajde-ik edhe vetë ai e di që nuk ka mundësi.

Emra të rinj dhe nga Superiorja – Unë e kam thënë gjithmon që ne jemi për të përforcuar ekipin A por objektiv i imi personal është për të kualifikuar U21-shin në kampionatin Europian. Duhet të bashkohen shumë gjera bashkë. Shumë lojtarë nga U21 shkojnë te ekipi A dhe jemi penalizuar në njëfarë mënyrë por edhe me ata që kemi aktualisht mendoj se do të bëjmë mirë. Nëse jep maksimumin nuk ke frikë asnjë ekip, hiq këtu gjigantë si Gjermania apo Spanja. Kemi shumë lojtarë që s’na kanë ardhur pasi nuk është as datë e FIFA-s.

Trajneri i ekipit A? – Është motivim për cdo trajner kur përmendet emri por gjithsesi ne jemi të fokusuar te U21 dhe bëjmë maksimumin dhe ndihemi mirë sepse është njësoj si U21 apo A pasi luftojmë për një objektiv, që Shqipëria të kualifikohet në një Europian apo Botëror.

Fryma e grupit pas kaq shumë ndryshimesh – Frymën patjetër që e kanë. Superiorja këtë vit nuk ka shumë lojtarë për të forcuar U21. Është rast unik. Vetëm Alivoda është ai që luan rregullisht. Ne nga kampionati vendas nisemi pastaj nga jashtë. Do të doja që klubet shqiptare të aktivizojnë të rinj pasi nuk ka shumë diferencë me lojtarët e huaj. Buxhelaj te Partizani iu dha mundësia dhe po bën shumë mirë, ashtu edhe Alivoda që po mer besimin e trajnerit Josa.

6 mesfushorë të rinj – Kemi lojtar që nuk na i lënë klubet pasi nuk është datë zyrtare. Frrokaj i Panathinaikos përshembull është lojtar kryesor por një dëmtim në ligament do e mbajë thuajse 1 vit jashtë. Berisha kapiteni i Lecce, nuk e lanë të vinte. Gjithsesi këta që janë do të bëjnë mirë.

A është një brez tranzicioni? – Me emra nuk janë shumë të mëdhenj, mund të bëhen me kalimin e viteve por kemi ekip të mirë. S’kemi emra por kemi grup këtë rradhë. Unë jam shumë i kënaqur edhe pse humbëm me Maqedoninë dhe Kroacinë pasi aktivizuam të gjithë lojtarët. Shpresoj të mos kemi dëmtime pasi kemi një grup të mirë dhe ne do të tentojmë kualifikimin këtë vit.

Arda Kurtulan – Arda Kurtulan është një risi pasi ka qenë një lojtar i Fenerbahce dhe ka debutuar si lojtari më i ri i të gjithë kohërave në kampionatin turk. Supertalent që do t’i shërbejë ekipit shqiptar. Një lidhje e imja me babain e tij me të cilin kam luajtur më parë në Turqi bëri që të vinte te ne.

Në çfarë reparti vuan? – Ne na mungon një sulmues goli. Kemi sulmues si Toçi apo Nikqi por s’kemi një sulmues goli. Do ta gjejmë një mbrojtës. Preka nuk është këtë rradhë me ne pasi nuk ka luajtur me Partizanin. Me Kurtulan forcohemi shumë në sulm. Kemi ekip të mirë thjesht shpresojmë të mos kemi mungesa. Kemi një mesfushor si Pajaziti që ka cilësi të mira dhe mund ta krahasoj me Demollarin.