Shqipëria U21 do të presë sot në stadiumin ‘Loro Boriçi’ të Shkodrës në orën 19:00, Anglinë. Një takim i vlefshëm për kualifikueset e Europianit të kësaj grupmoshe.

Kuqezinjtë do të kërkojnë t’i japin vazhdimësi suksesit të marrë në ndeshjen e fundit ndaj Kosovës, edhe pse përballë britanikëve nuk do të jetë aspak e lehtë.

Aq më tepër duke llogaritur edhe problemet në formacion për trajnerin Alban Bushi. Kështu, VipSport.al ka mësuar se portieri titullar i Shpresave, Gentian Selmani nuk do të mund të jetë i gatshëm në këtë sfidë për shkak të një problemi në kofshë. Një shqetësim që gardianin e kuqezinjve e shoqëron prej tre ditëve dhe mesa duket nuk ia ka dalë të rikuperohet në kohë.

Një humbje e madhe pasi dihen cilësitë e Selmanit, i cili në këtë sezon është transferuar në Turqi teksa aktivizohet me skuadrën e Menemensporit, ku është kthyer në një protagonist. Tashmë, vendin e Selmanit në formacion, pritet ta marrë portieri Andrea Hoxha, i cili aktivizohet me gjermanët e FC 08 Vilingen. /VipSport/