Për trajnerin e ri të Vllaznisë nuk ka më kohë për të humbur. Ai I ka “përveshur mëngët” menjëherë dhe ka nisur punën me kuqeblutë. E ka të qartë se nuk ka kohë për të humbur dhe prandaj ka nisur menjëherë seleksionimin e futbollistëve. Por në fakt përballë nuk ka patur një grup të caktuar futbollistësh të cilët duheshin testuar por një “batërdi” e vërtetë të rinjsh të cilët kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e Vllaznisë në sezonin e ri.

Në fakt diçka e pakuptimtë kjo. Bashkë me elementin e ri të ardhur nga ekipi U-19 I Akademisë së klubit, kanë qenë edhe shumë të tjerë të cilët kanë luajtur me ekipe të tjera, kryesisht të kategorisë së parë. Përveç tyre kishte edhe një portier të ardhur nga Laçi, një tjetër I ardhur nga Belgjika, kuptohet shkodran që kishte luajtur atje në kategori të ulëta. Numri I futbollistëve në stërvitje dy ditët e fundit ka qenë diçka mbi 55! Canaj nuk e ka pritur një dyndje të tillë në stërvitje. Në seancën e parë që ka drejtuar skuadrën shkodrane, ai ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli disaminutëshe. Në fakt kanë qenë dy të tilla, madje numri I ndeshjeve të kontrollit duhej të kishte qenë më I madh nisur nga numri I futbollistëve por është mjaftuar me aq. Canaj dhe Nikaj I kanë ndarë futbollistët në dispozicion në katër formacione sipas rëndësisë së lojtarëve. Në të parin dhe të dytin janë aktivizuar futbollistët që janë nën kontratë me klubin ndërsa në të tretin dhe të katërtin lojtarët e ardhur për t’u provuar. Në fakt ka qenë një rrëmujë e vërtetë sepse përveç këtyre katër 11-sheve ka tepruar edhe një formacion tjetër I cili është aktivizuar në dy tjerët duke I futur një nga një. Kuptohet që situata në fushën e stërvitjes nuk ka qenë shumë normale dhe kjo është vërejtur edhe tek tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” për të ndjekur këtë seancë stërvitore. Dje ndërkohë, trajneri Canaj ka vendosur ta spostojë stërvitjen në periferi të qytetit, pikërisht në fushën sportive të Shtojit, për të qenë edhe larg vëmendjes së njerëzve, mbi të gjitha të prindërve të futbollistëve që kanë ardhur për t’u testuar. Në seancën e paradites, ai e ka ndarë grupin në dy pjesë, duke lënë mënjanë ato që janë për testim me të cilët ka zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli disa minutëshe. E njëjta situatë edhe pasdite. Kanë mjaftuar këto tre seance që disa prej futbollistëve të ardhur për provë të tregojnë dobësitë e para. Ndonjëri prej tyre nuk ka duruar ngarkesat stërvitore dhe këtë ka filluar ta reflektojë edhe në stërvitje. Disa të tjerë kanë filluar madje edhe problemet fizike me tërheqje muskulare a shqetësime të tilla. Po ashtu ka edhe nga ata që duket qartë se janë mbi peshën normale dhe do “skartohen” vetëvetiu megjithatë kjo situatë do vazhdojë edhe për disa ditë. Mbase nesër do të ketë një përgjigje përfundimtare për shumë prej tyre sepse numri I futbollistëve në stërvitjen e Vllaznisë do përgjysmohet. Vetë Canaj e ka bërë të qartë se në këtë seleksionim do ketë edhe gabime. “Puna duket më e vështirë nga sa e kisha menduar. Numri i futbollistëve që kemi në dispozicion është shumë i madh dhe kjo na ka shkaktuar jo pak lodhje në këto dy ditë. Megjithatë jemi këtu për t’u lodhur dhe nuk shqetësohem për këtë. Ajo që më shqetëson është se në një situatë të tillë dhe në kaq pak ditë që kemi në dispozicion, duhet bërë një seleksionim i mirë dhe prandaj me shumë siguri do ketë edhe gabime në punën tonë. Por nëse nuk marrim lojtarët e duhur, shpresoj që ata ta vazhdojë karrierën në ekipe të tjerë dhe të tregojnë edhe atje se sa vlejnë. Tek Vllaznia ka shumë punë për të bërë dhe mbase këto dy javë do jenë vendimtare edhe për të ardhmen e këtij ekipi”-ka thënë trajneri i Vllaznisë Agim Canaj.
Gjergj KOLA