Tek Vllaznia mund të ketë ndryshime në formacion sa i takon zgjedhjeve të reja që kërkon të bëjë trajneri Agim Canaj. Ai ka projektuar edhe ndonjë vendosje ndryshe të ndonjërit prej tyre. Kështu në portë deri tani si titullar është Selimaj ngaqë nuk ka portier tjetër edhe pas largimit të Gjokoviç. Në mbrojtje ka një vendosje disi ndryshe nga ana e trajnerit. Kështu, në qendër të mbrojtjes ai ka projektuar dyshen Beqiri- Sykaj. Eksperienca e njërit dhe forca rinore e tjetrit pritet t’i japin siguri kësaj pike kyçe në lojën e skuadrës. Në krahun e majtë mendohet që të luajë si titullar Alis Baci i ardhur nga Luftëtari dhe tashmë me një eksperiencë edhe në superligë. Ka patur pak dyshime se kush do të ishte zëvendësuesi i Smajlit pas 5 vitesh në krahun e djathtë të mbrojtjes por trajneri Canaj ka bërë një zgjedhje disi befasuese.

Kur u mendua se në këtë pozicion do të luante Gocaj, ai ka programuar për këtë vend Klodian Seminën. Në fakt, gjatë sezonit të kaluar jemi mësuar që këtë futbollist shtatëlartë ta shohim të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes ose në qendër të këtij reparti. Në të djathtë asnjëherë. Por Canaj dhe Semina kanë një njohje të mëparshme me njëri- tjetrin. Ata kanë punuar sëbashku para pak sezonesh tek Gramozi i Ersekës në kohën kur ky ekip sponsorizohej nga Taçi dhe gjatë atij sezoni, mbrojtësi shkodran është vendosur pikërisht në këtë pozicion nga ana e trajnerit Canaj. Skema me të cilën Vllaznia mendohet të luajë në sezonin e ri duket se do jetë 4-3-2-1, nisur dhe përshtatur me elementin që ka në dispozicion. Para katërshes së mbrojtjes mendohet të jenë tre mesfushorë të mirëfilltë. Kryesisht me tipare mbrojtëse por edhe për të ndihmuar përpara. Para dyshes së qendrës të mbrojtjes pritet të vendoset Behar Ramadani, shkodrani i ardhur nga Luftëtari. I spostuar paksa nga e djathta mund të luajë Gocaj ndërsa ka një dilemë për mesfushorin që do luajë paksa i spostuar nga e majta teksa në balotazh për këtë vend për momentin duken Tafili dhe Bardulla. Koha do të tregojë se cili do të fitojë këtë vend. Para kësaj tresheje, do të jetë një dyshe me tipare shumë sulmuese, pikërisht Arsen Hajdari nga e majta dhe Ndriçim Shtubina nga e djathta. Të dy këta futbollistë dallohen për shpejtësinë e tyre dhe nuhatjen para portave kundërshtarë prandaj mendohet të jenë një forcë e madhe goditëse për këtë skuadër. Në majë të sulmit për momentin sulmuesi më në formë dhe që mendohet aktualisht ta nisë si titullar sezonin është Jurgen Gjini. Natyrisht që duhen përforcime, minimumi edhe një portier dhe një sulmues tjetër. Se ku do gjenden, kjo mbetet për t’ u parë. Por nëse për momentin ka një projekt-ide se kush mund të jetë formacioni bazë, sigurisht që ka edhe alternativa të tjera të gatshme. Duke filluar nga portiere Hallunaj, mbrojtësit Rexha, Balaj, Nikshiqi, Pjeshka etj, për të vazhduar me mesfushën ku është I gatshëm përveç Tafilit apo Bardullës edhe Dema, Kruja, Kalaj e ndonjë tjetër, për të vazhduar me sulmin ku janë edhe Guri e Idrizi. Pak a shumë kjo është Vllaznia aktuale dhe me shumë të ngjarë, 80-90 për qind do jetë ajo që do të përfaqësohet në sezonin e ri. Pritet vetëm ndonjë ndryshim I vogël por pa peshë tek kjo skuadër.