Vllaznia është e përgatitur për të arritur një rezultat pozitiv edhe në ndeshjen e rradhës, atë që do të luhet të shtunën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” përballë Laçit. Kuqeblutë kanë zhvilluar paraditen e sotme seancën e fundit stërvitore dhe tashmë skuadra duket gati për këtë ndeshje. Trajneri Agim Canaj në një prononcim për mediat, ka bërë të ditur se objektivi është I qartë në këtë ndeshje, vetëm fitore. Ai njëkohësisht ka shprehur besimin se edhe tifozëria shkodrane do të jetë pranë në këtë ndeshje. “Jemi të përgatitur për ta kaluar me sukses edhe këtë ndeshje pavarësisht se përballë do kemi një kundërshtar shumë të fortë. Unë shpresoj që të kemi edhe mbështetjen maksimale të tifozëve tanë që duhet të jenë ngrohur nga rezultatet e fundit pozitive që kemi marrë.

Mbështetja e tifozëve mund të na motivojë edhe më shumë për të marrë rezultatin e duhurë në këtë ndeshje- fitoren”- ka thënë ai.Nëse të shtunën do luhet ndaj Laçit, të mërkurën që vjen për Vllazninë do të jetë një ndeshje edhe më e vështirë, ajo ndaj kampiones në fuqi- Skënderbeut. I pyetur nëse ka filluar të mendojë për këtë ndeshje, trajneri Canaj ka thënë se vëmendja është e përqendruar totalisht tek ndeshja me Laçin. “Kurrsesi nuk duhet ta kemi mendjen tek Skënderbeu. Do kemi kohë të mendojmë për të. Çdo ndeshje ka vlerë trepikëshe prandaj duhet të kërkojmë të marrim njëherë tre pikët e fitores me Laçin”- ka thënë trajneri Canaj.

www.shkodrasport.com